
Trajneri i Francës, Didier Deschamps, ka vlerësuar Spanjën dhe Argjentinën si finalistë të merituar të Kupës së Botës 2026, duke theksuar se të dyja skuadrat fituan me meritë ndaj rivalëve të tyre.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes për vendin e tretë ndaj Anglisë, Deschamps u shpreh:
“Spanja ishte më e mirë dhe e meritoi finalen, ashtu si edhe Argjentina. Ata i mundën të gjithë kundërshtarët e tyre.”
Trajneri francez sqaroi gjithashtu komentet e tij pas humbjes 2-0 ndaj Spanjës në gjysmëfinale, duke theksuar se arbitri nuk ishte shkaku i eliminimit të Francës. Megjithatë, ai pranoi se kartoni i verdhë i marrë herët nga Adrien Rabiot ndikoi në performancën e mesfushorit gjatë takimit.
Deschamps komentoi edhe raportimet për një debat në dhomat e zhveshjes me Ousmane Dembélé, duke sqaruar se sulmuesi nuk kishte kundërshtuar zgjedhjet taktike të stafit teknik, por u kishte kërkuar shokëve të skuadrës të ushtronin më shumë presion ndaj kundërshtarit.
Edhe pse ndeshja për vendin e tretë nuk ishte objektivi që Franca synonte në fillim të turneut, tekniku francez theksoi rëndësinë e përfaqësimit të vendit:
“Ka një detyrë kur vesh këtë fanellë. Ne kemi përgjegjësi sa herë që përfaqësojmë Francën.”
Ndeshja kundër Anglisë do të jetë e fundit e Didier Deschamps në krye të kombëtares franceze, duke i dhënë fund një periudhe 14-vjeçare në stolin e “Les Bleus”. Ai u shpreh se do t’i mungojë kombëtarja dhe falënderoi të gjithë për besimin dhe mundësinë për ta drejtuar ekipin gjatë kësaj periudhe.



