
Një reagim i fortë që po bën xhiron e rrjeteve sociale ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi paanshmërinë e gjyqtarëve dhe teknologjisë VAR në futbollin modern.
Teksa polemikat mbi vendimet e arbitrave vazhdojnë të trazojnë ujërat në sportin më të ndjekur në botë, një tifoz i njohur i Liverpool-it, David Stephen, i cili ndjek sportin prej dekadash, ka publikuar një deklaratë të fortë ku akuzon drejtpërdrejt sistemin për korrupsion.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Stephen shprehet se pas një jete të tërë të dedikuar sportit, ka arritur në përfundimin se ndeshjet po manipulohen nga faktorë të jashtëm.

“Sporti është i skenarizuar dhe i korruptuar! Jo nga lojtarët, por nga gjyqtarët, kompanitë e basteve dhe grupet e interesit që ushtrojnë presion mbi këto organizata,” shkruan ai.
VAR-i në qendër të kritikave
Sipas tij, prezenca e teknologjisë VAR e bën të pamundur justifikimin e gabimeve me “faktorin njerëzor”, siç bëhej në të kaluarën.
“Në të kaluarën, një vendim i gabuar pranohej si gabim njerëzor. Por sot, me VAR-in ku çdo pamje analizohet me detaje, si ka mundësi që përsëri merren vendime skandalozisht të gabuara?” pyes ai, duke publikuar edhe pamje nga ndeshjet ku pretendohet se nuk janë dhënë penallti të pastra.
Kjo deklaratë ka nxitur debate të shumta mes tifozëve dhe dashamirësve të futbollit, ku shumë prej tyre mbështesin idenë se teknologjia nuk po e eliminon padrejtësinë, por thjesht po rrit dyshimet për ndikimin e faktorëve të jashtëm në rezultatet e ndeshjeve.




