
Pavarësisht kritikave të shumta pas eliminimit të Anglisë nga Kupa e Botës, pozicioni i Thomas Tuchel si trajner i përfaqësueses angleze duket se nuk është në rrezik.
Sipas mediave britanike, përfshirë Sky Sports dhe The Telegraph, Federata Angleze e Futbollit, e drejtuar nga drejtori ekzekutiv Mark Bullingham, vijon t’i japë mbështetje trajnerit gjerman, i cili pritet të udhëheqë ekipin kombëtar edhe në ciklin për Kampionatin Evropian 2028.
Tuchel është kritikuar ashpër pas humbjes 2-1 ndaj Argjentinës në gjysmëfinalen e Botërorit, veçanërisht për vendimin për të tërhequr skuadrën pas golit të avantazhit dhe për të kaluar në një skemë me pesë mbrojtës.
Pas përfundimit të ndeshjes, tekniku gjerman mori përgjegjësinë për rezultatin, duke deklaruar: “Kjo është përgjegjësia ime. Unë marr vendimet dhe pranoj pasojat”, ndërsa pranoi se Anglia u bë shumë pasive në pjesën e fundit të takimit.
Kritikët e kanë krahasuar këtë qasje me atë për të cilën është kritikuar për vite me radhë edhe ish-trajneri i Anglisë, Gareth Southgate. Skuadra angleze kaloi në avantazh në një ndeshje të rëndësishme, por më pas u tërhoq pranë portës së saj, duke u fokusuar më shumë te mbrojtja e rezultatit sesa te kërkimi i golit të dytë.
Argjentina përfitoi nga kjo strategji dhe arriti të përmbysë rezultatin me dy gola në fund të takimit.
Megjithatë, Federata Angleze e Futbollit vlerëson se arritja deri në gjysmëfinale përbën një rezultat pozitiv dhe nuk ka sinjale për një ndryshim në pankinë. Edhe vetë Tuchel ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të largohet dhe synon të vijojë projektin me Anglinë deri në Euro 2028.



