Në episodin më të fundit të podcastit “N’xhiro me Syçin”, moderuar nga Ilir Demalia, i ftuar ishte avokati dhe analisti Edmond Petraj, i cili foli me tone të forta për rritjen e kriminalitetit në Shqipëri dhe krizën sociale që po përshkon vendin.
Në hyrje të bisedës, Demalia solli në vëmendje faktin se vetëm në një ditë në Shqipëri kishin ndodhur katër vrasje për motive banale, duke ngritur pyetjen nëse kjo tregon “një depresion të shoqërisë apo thjesht mungesën e frikës nga ligji”. Duke analizuar fenomenin, Petraj u shpreh: “Shqipëria ka bilance lufte. Kriza sociale ka arritur kulmin. Shqiptarët nuk jetojnë dot në paqe, sepse kanë ndërtuar një klimë ku mungon dialogu dhe çdo njeri e sheh tjetrin si armik.” Sipas tij, agresiviteti i shoqërisë shqiptare është bërë alarmant dhe trashëgohet edhe nga brezat e rinj.
“Ne nuk e durojmë dot dialogun. Është diçka e trashëguar që nga sistemi i mëparshëm, kur njerëzit rriteshin në presion dhe ngarkesë. Sot fëmijët e atyre brezave nuk dinë të komunikojnë pa konflikt,” – theksoi Petraj.



