Në podcastin “N’xhiro me Syçin” të Ilir Demalias, Edmond Petraj foli për mënyrën sesi inteligjenca artificiale po revolucionarizon sistemet gjyqësore në botë, duke theksuar shembullin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Sipas Petrajt, Shqipëria duhet të kuptojë potencialin real të projektit “Diellë”, i cili, sipas tij, nuk është thjesht një sistem teknologjik, por “një hap drejt automatizimit të analizës juridike”. “Inteligjenca artificiale duhet të lexojë fije për pe çdo dokument dhe të japë mendimin juridik, jo siç është keqkuptuar këtu. Është një reformë madhështore që do rregullojë gjithë sistemin,” u shpreh ai. Petraj solli një përvojë personale nga një proces gjyqësor në Abu Dhabi, ku drejtësia, sipas tij, funksionon shumë më shpejt dhe më saktë falë përdorimit të inteligjencës artificiale. “Brenda katër ditësh përfundon një gjyq. Inteligjenca artificiale jep mendimin për gjyqtarët, dhe ata nuk i dalin dot kundër sepse mendimi është i argumentuar në bazë të ligjeve dhe kushtetutës,” tha ai. Ai theksoi se në vendet arabe, ndonëse shpesh perceptohen si konservatore, shteti i së drejtës funksionon më mirë se në shumë vende të Europës apo Amerikës.
“Kanë një kod moral që nuk lejon abuzime. Edhe bankat atje japin kredi pa përqindje interesi, sepse fitimi nga kamata konsiderohet i ndaluar,” shtoi Petraj.



