Në episodin më të fundit të podkastit “N’Xhiro me Syçin” me Ilir Demalian, analisti Edmond Petraj bëri një analizë të fortë mbi gjendjen e shtetit shqiptar dhe raportin e qytetarëve me ligjin.
Sipas tij, problemi thelbësor i Shqipërisë qëndron në mentalitetin që është ndërtuar gjatë këtyre 35 viteve tranzicion. “Çdo shtet krijohet mbi kornizat e mentalitetit që ka. Ne kemi krijuar kodin e anarshisë. Në Shqipëri nuk e njeh njeri Kushtetutën,” u shpreh Petraj. Ai solli një shembull domethënës: “Thuaji një shqiptari çfarë është neni i parë i Kushtetutës, nuk di ta thotë. Libri themeltar që duhet lexuar dhe reflektuar në sjellje, shqiptarët nuk e bëjnë.” Petraj theksoi se mungesa e kulturës ligjore ka sjellë një marrëdhënie të shtrembër me drejtësinë, edhe pse, sipas tij, reforma në drejtësi ka sjellë disa përmirësime.
“Kemi mangësi, kemi mungesë logjistike, por diçka është rregulluar. Megjithatë, më erdhi keq kur pashë dje mënyrën se si një strukturë e posaçme u përball me njerëzit në konflikt, pyetje që vetëm pyetje nuk ishin. Injoranca e tillë është alarmante,” tha ai.



