Shqipëria është një hap më
pranë BE, duke hapur sot edhe negociatat për grupkapitullin IV: “Agjenda e
Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”.
Kryeministri Edi Rama dhe
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos mbajtën një konferencë për
shtyp në Bruksel.
Kos u shpreh se shpejtësia e
Shqipërisë është mbresëlënëse. Ajo iu drejtua kreut të qeverisë, duke i thënë
që të vazhdojë me këtë ritëm.
“Shpejtësia e Shqipërisë është
mbresëlënëse. Ende nuk kam bërë një vit në detyrë dhe kjo është hera e 4-t
tashmë që ne çelim një grup kapitull negociatash me Shqipërinë gjatë mandatit
tim. Kjo na çon në 5 grupkapituj të hapur dhe 28 kapituj të çelur. Ka mbetur
dhe 1 grupkapitull dhe nuk kam aspak dyshim që do ta bëjmë këtë gjë së shpejti.
E di që presidenca daneze dhe të gjitha shtetet anëtarë janë plotësisht të
përkushtuara që të shënojmë progres në momentin që përmbushen të gjitha
kriteret. Dhe po të përdorja terminologjinë olimpike, do të jetë më shpejt, më
lartë, më fort dhe me një punë në ekip dhe siç e shihni ka një trekëndësh të
fortë që e mbështet procesin e zgjerimit në tërësi, siç ju e theksuat e dashur
Mari, duke qenë një nevojë gjeostrategjike. Ky rezultat është rrjedhojë e punës
së madhe të autoriteteve shqiptare që kanë çuar përpara reformat përgjatë shumë
viteve dhe sidomos gjatë këtij viti, pavarësisht zgjedhjeve që janë zhvilluar.
Ne e dimë që reformat që ju
kërkojmë kandidatëve tanë, ndonjëherë nuk janë të lehta, kërkojnë ndryshime
themelore, por vendi juaj, i dashur Kryeministër, po tregon që mund të bëhet,
Shqipëria po tregon që ndryshimi pozitiv është i mundur dhe se BE-ja e
shpërblen këtë ndryshim pozitiv. Dhe vazhdoni kështu me këtë ritëm, duke u
siguruar që të përfshini dhe Parlamentin, shoqërinë civile dhe sektorin privat,
sepse një konsensus i gjerë kombëtar përmirëson pranimin shoqëror e më tej,
sidomos për fusha kritike si reforma në drejtësi, pavarësia në gjyqësor dhe
lufta kundër korrupsionit, e drejta e pronësisë, çështjet e pakicave dhe liria
e medias që përmbushin piketat e ndërmjetme. Kjo është e rëndësishme që ne të
nisim të përmbyllim kapitujt dhe në momentin që do çelen të gjithë kapitujt, ne
do të nisim të mbyllim kapituj sa më shpejt të jetë e mundur që të realizojmë
ambicien tuaj për t’i përmbyllur ato të gjitha brenda 2027.
Grup kapitulli që kemi çelur
sot, quhet agjenda e gjelbër dhe ndërlidhja e qëndrueshme. Reformat që përmban
ndihmojnë që rritja ekonomike e Shqipërisë, të shkojë krah për krah me
mbrojtjen e pasurisë së jashtëzakonshme natyrore të Shqipërisë, të mbrojë
burimet natyrore, të përmirësojë menaxhimin e ujërave të ndotura dhe të ulë
ndotjen e ajrit.
Transporti në këtë
grupkapitull, do të ndihmojë në zgjerimin e rrugëve, në përmirësimin e
transportit dhe ndërlidhjen e Shqipërisë me sistemet evropiane. Ndërkohë që
energjia do të ndihmojë në konkurueshmërinë e drejtë, me forcimin e
konkurueshmërisë por gjithashtu edhe përdorimin e burimeve të ripërtëritshme.
Kjo do të sigurojë përmirësimin në jetën e qytetarëve shqiptarë dhe ka mes
tyre, në vende kandidate, pra ata janë midis vendeve kandidate që mbështesin më
shumë anëtarësimin. 91% e qytetarëve shqiptarë mbështesin anëtarësimin në BE;
92% i besojnë BE-së dhe 82% kanë imazhin e BE-së dhe këto janë nga shifrat më
të larta mes vendeve kandidate. E ardhmja e Shqipërisë është në BE dhe nuk ka
aspak dyshim për këtë dhe sot jemi një hap më pranë për të arritur këtë
objektiv.”, u shpreh Kos.



