Ish-ndihmëssekretari amerikan,
James Rubin, po vazhdon dhe sot dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në
Hagë.
Rubin tha se për të është e pakuptimtë
se si trajtohet ish-presidenti Hashim Thaçi që është vetëdorëzuar, transmeton
Telegrafi.
“Fakti që janë mbajtur kaq gjatë në paraburgim
më shqetëson, pasi që këta janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë bashkëpunuar me
gjykatën. Në rastin e të akuzuarit Hashim Thaçi, nuk e kuptoj pse vazhdon të
jetë në paraburgim. Unë mendoj se kjo është e gabuar, kjo nuk është drejtësi.
Jam takuar me ekipin e mbrojtjes në Uashington, kam kaluar pesë vite duke
pritur që të nis gjykimi. Kam pyetur njerëz të fushave e juristë a është
normale kjo më kanë thënë që jo, është mënyrë e pazakontë për të trajtuar një
burrë shteti që është vetëdorëzuar”, deklaroi ai.
Ish-diplomati amerikan u pyet
edhe nga prokurori për një artikull të New York Times, e ku pretendohet se
Thaçi së bashku me Azem Sylën dhe Xhavit Halitin kanë dhënë urdhër për disa
vrasje të politikanëve.
“Nuk kemi informacione për të
mbështetur këto pretendime, se ka pasur aktivitete të tilla ose veprimtari të
vrasjeve, ose urdhrave të ekzekutimit që janë dhënë nga lidershipi. Është e
vështire të komentohet më tej për pretendime qe nuk janë të mbështetura”.
Ai theksoi se nuk ka asnjë
informacion për të konfirmuar se lidershipi ka dhënë urdhra për vrasje.




