Gazeta DITA
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) kanë nxjerrë në dritë një skemë të dyshuar korrupsioni pasiv dhe aktiv, ku në qendër qëndron biznesmeni Samir Mane dhe bashkëshortja.
Sipas dosjes hetimore, z.Mane dyshohet se ka korruptuar ish-Presidentin Ilir Meta përmes kalimit të pronësisë së një vile luksoze në kompleksin “Rolling Hills”.
Përgjimet e SPAK tregojnë se vila u dha për kalimin e ligjeve specifike në favor të bizneseve të Manes, në sektorin minerar dhe atë të investimeve strategjike.
Rasti shënon një precedent të rëndësishëm, pasi shfaq drejtpërdrejt simbiozën e përfolur mes fuqisë ekonomike të oligarkisë dhe vendimmarrjes politike, duke e zhvendosur fokusin e SPAK realisht drejt “peshqve të mëdhenj”.
Mëkatari i dytë mungon
Meta u arrestua. Mane nuk është thirrur deri tani në SPAK edhe pse ka kaluar kohë nga arrestimi i ish-Presidentit. Ligji parashikon që edhe pasivi edhe aktivi në një akt korrupsioni janë njësoj fajtor. Nuk ka korrupsion me një palë. Nëse ka një përfitues të paligjshëm, ka detyrimisht një dhënës të paligjshëm.
Nëse jo i pandehur, a duhej të ishte thirrur Samir Mane, së paku si “dëshmitar”? Nëse SPAK nuk e thërret të paktën për të dëshmuar një figurë që përmendet kaq dendur dhe kaq qartë në një dosje arrestimi, kjo dëmton besueshmërinë morale të institucionit.
Por jo vetëm kaq.
Mungesa e këtij ekuilibri e kthen drejtësinë në një mjet për “pastrimin” e klasës politike, por jo për shërimin e sistemit nga ndikimi i parave të pista. Nëse drejtësia bëhet “kirurgjikale”, duke hequr politikanin nga skena, por nuk prek motorin ekonomik që qëndron pas tij, krijon një lloj amnistie de facto për oligarkinë. Sepse kur ky biznes e kupton që mund të korruptojë pa u ndëshkuar, atëherë sistemi i ryshfetit nuk ndalet kurrë, thjesht ndërron partnerët politikë.
Sic edhe ka ndodhur me z.Mane.
Duhet parë në vijimësi nëse kjo “mungesë guximi” për të prekur majat e biznesit është thjesht çështje kohe, apo SPAK ka vendosur një vijë të kuqe që nuk do ta kalojë.
Trafikanti i drogës dhe hera e parë
Do thotë dikush: E ç’janë 800 mijë apo 300 mijë euro për korrupsionin famëmadh shqiptar? Por besimi nuk thyhet nga shuma. Ajo që duhet kuptuar është zbulimi prej këtij rasti përgjimesh i një sistemi që ka operuar në hije për një kohë të gjatë.
Ekziston një rrëfim i njohur në botën e krimit. Një djalë i rritur në varfëri që u bë më pas trafikant droge pyet të atin pse e dëboi me aq ashpërsi punëtoren më besnike, e cila u kap duke vjedhur vetëm 10 dollarë pas dekadash shërbimi.
Përgjigja ishte e thjeshtë, por edhe domethënëse: “Nuk ishte hera e parë që vidhte. Ishte hera e parë që u kap.”
Sot, kur emri i Samir Manes shfaqet në dosjet e SPAK si dhurues i dyshuar i një vile luksoze në këmbim të ligjeve që i qepin kostumin e favorshëm bizneseve të tij, pyetja pezull është: A jemi përpara një “mëkati” fillestar, apo përpara një modeli pune që ka funksionuar në heshtje prej vitesh?
Në botën e biznesit të madh, lëvizje të tilla shumë rrallë janë incidente të izoluara. Ato janë një protokoll operimi, ku ligji nuk shihet si rregull i pathyeshëm, por si një mall që mund të blihet, tjetërsohet dhe modifikohet në këmbim të favoreve materiale.
Logjika e dhjetë-dollarëshit të vjedhur na fton të shohim përtej: Nëse një vilë u dha për një ligj, sa të tjera mund të jenë dhënë për koncesione, leje minerare apo statuse investitori strategjik nën mjegullën e viteve të kaluara?
Deri më sot, kjo marrëdhënie ka gëzuar imunitetin e “besnikërisë” së heshtur mes politikës dhe oligarkisë. Sot, perdja është grisur. Është koha të kuptojmë nëse drejtësia e re, do ketë guximin të trajtojë jo vetëm “hajdutin” që pranoi dhuratën, por edhe “dorën” që e ofroi atë./GazetaDita.al



