
Ish-futbollistët dhe analistët e njohur të futbollit, Ian Wright dhe Jamie Carragher, kanë kritikuar vendimin e gjyqtarëve për të mos akorduar penallti për Liverpoolin pas tërheqjes së fanellës së Alexander Isak.
Gjatë analizës së episodit, Carragher u shpreh se bëhej fjalë për një rast të qartë, pasi sulmuesi i Liverpoolit po tërhiqej vetëm pak metra larg portës, duke iu mohuar një mundësi e pastër shënimi.
“Ke sulmuesin më të mirë numër 9 në kampionat, vetëm pesë jardë larg portës, dhe ai tërhiqet nga fanella. Ky është një rast i qartë për të ndalur një mundësi shënimi”, deklaroi Carragher.
Edhe Ian Wright, ndonëse tifoz i Arsenalit, u shpreh se vendimi duhej të ishte penallti.
“Si tifoz i Arsenalit, them se kjo absolutisht duhet të jetë penallti. Nuk ka kuptim të thuhet se Isak nuk bëri mjaftueshëm për ta fituar atë. Ai nuk duhet të bëjë gjithë atë zhurmë për t’iu akorduar një penallti të qartë”, u shpreh Wright.
Ndërsa Carragher e drejtoi kritikën edhe ndaj sistemit VAR, duke theksuar se teknologjia duhet të ndërhyjë dhe të bëjë punën e saj në raste të tilla.
Të dy analistët ranë dakord se Liverpoolit iu mohua një 11-metërsh, duke e cilësuar vendimin e arbitrave si të pakuptueshëm.



