Në Gjykatën Administrative është shqyrtuar ditën e sotme kërkesa e zyrtarit të Policisë, Gentian Ndoi, në lidhje me emërimin në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit të z. Joni Keta.
Ndoi kërkon shfuqizimin e shkresës dhe raportit të dërguar nga Komisioni i Përzgjedhjes i SPAK pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në bazë të të cilit rekomandohej Keta si kandidat për Drejtor të BKH-së.
Ndoi tha se këto janë akte të marra në kundërshtim me ligjin dhe duhet të shpallen të pa vlefshme.
Ndoi i cili ishte një nga kandidatët në garë, kërkon gjithashtu që gjykata të detyrojë Komisionin e Përzgjedhjes të përcjellë për emërim kandidatin që ka marrë më shumë pikë në garën e zhvilluar, i cili është ai.
Po ashtu, Ndoi kërkon që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të bëjë emërimin e tij si Drejtues të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe që BKH të nisë pagesën e pagës për këtë pozicion nga muaji dhjetor e në vazhdim.
Seanca për këtë çështje pritet të mbahet në fillim të muajit prill.
Një investigim i nisur nga DITA pak pas emërimit të Ketës, paralajmëroi përmbysjen e renditjes në fazën e fundit dhe favorizimin e Ketës.
Ditët e fundit gazeta ka publikuar edhe dokumentat që mbështesin këtë përfundim. Hetimi ynë paralajmëroi se mungesa e transparencës do të çonte në ngërç ligjor që sot rrezikon të delegjitimojë drejtuesin e BKH-së.
Procesi i nisur nga fituesi real, Ndoi, kërkon që gjykata të lexojë atë që KLP-ja tentoi të fshehë. Tabelën e pikëve dhe vlerësimin real të meritës.

Pjesë nga materiali i SPAK paraqitur në KLP ku duket qartë që Keta është renditur i parafundit në garën për kreun e KLP




