Në episodin më të fundit të podcastit “N’xhiro me Syçin”, Ilir Demalia priti si të ftuar fotografi të njohur Roland Tasho, i cili foli me nostalgji për fillimet e tij dhe magjinë e fotografisë në kohën kur gjithçka bëhej me film, laborator dhe shumë durim. “Fillova në muzeun e Enver Hoxhës, aty punova dy vjet në pjesën e fotografisë. Pastaj kalova te revista Ylli, ku më tërhoqi jo vetëm puna, por edhe motori që na jepnin për terren, një MZ 250. Ishte luks në atë kohë,” tregon ai me humor. Fotografi kujton se me atë motor përshkonte gjithë Shqipërinë: “Shkoja në Durrës, në Vlorë, në Shkodër… rrugët ishin bosh, por plot jetë për t’u fiksuar në foto. Aty lindi edhe cikli i vajzave të rinisë, që më vonë u bë ekspozita e njohur ‘Vajzat e ikura’.” Ilir Demalia e ndërpret për ta pyetur mbi raportin me artin e laboratorit, dhe Tasho thekson: “Dhoma e errët ishte magjia e fotografisë. Ne e mendonim foton përpara se ta shkrepnim. Kishim pak filma, ndaj çdo klikim duhej të ishte i menduar. Sot shkrepin pafund me telefon, por pa dritë s’ka art.” Ai ndalet edhe te momentet e vitit 1991, kur dokumentoi protestat e studentëve: “I fotografova të gjitha ato ngjarje. Emocioni ishte aq i fortë, sa ndonjëherë fotografia nuk e nxirrte dot. Atëherë kuptova sa e vështirë dhe sa e bukur është fotografia e vërtetë.”



