Në episodin më të fundit të podcastit “N’xhiro me Syçin”, moderuar nga Ilir Demalia, i ftuar ishte fotografi i njohur Roland Tasho, i cili rrëfeu fillimet e tij të papritura në botën e fotografisë dhe dashurinë që lindi më pas për këtë profesion. “Unë fotografinë e kam filluar në vitin 1982,” tregoi Tasho, duke kujtuar periudhën pas ushtrisë, kur po kërkonte një punë të zakonshme. “Shkova te zyra e lagjes për të gjetur punë si elektriçist, por pas disa muajsh më thanë: ‘Të kam gjetur një vend fotograf’. Nuk kisha asnjë ide çfarë ishte si profesion, as nuk e njihja fare fotografinë.” Ai kujtoi se gjithçka nisi në studion komunale pranë Sheshit “Skënderbej”, ku dikur bëheshin fotot e qytetarëve. “Në shtëpi nuk kishim as aparat, vetëm kinostudioja kishte. Pastaj mamaja më tha të shkoja te burri i tezes që ishte operator. Ai më tha: ‘Është profesion i mirë, provoje’. Dhe kështu fillova,” tregoi Tasho. Me kalimin e viteve, fotografia u bë pasioni i jetës së tij. “Filloi të më pëlqejë, u dashuruam me njëri-tjetrin. Në çdo profesion, po e pate pasion dhe i rri korrekt, arrin rezultate. Edhe sot, kur më thonë ‘shko bëj një fotografi’, s’e lë për nesër. Çdo gjë do punë dhe seriozitet,” përfundoi ai. Në nisje të bisedës, Ilir Demalia theksoi se “duhet bërë një histori e Tiranës që i dha vlera rezistencës kundër regjimit”, duke e vendosur rrëfimin e Tashos në kontekstin e një Tirane me shpirt e kujtesë.



