Në episodin më të fundit të podcastit “N’xhiro me Syçin”, me autor Ilir Demalian, i ftuar ishte fotografi i njohur Roland Tasho, i cili rrëfeu periudha kyçe të formimit të tij si artist dhe mënyrën se si përvoja jashtë vendit i dha një dimension të ri fotografisë shqiptare. “Pas grevës hapa ekspozitën time të parë në Tiranë në ’92-shin dhe më pas ajo bëri xhiron në Itali, Gjermani, Belgjikë, Francë e deri në Amerikë. Në Francë u stacionova, mora edhe një bursë nga Bashkia e Parisit që për mua ishte shumë vendimtare. Aty u ridimensionova si fotograf”, tha Tasho. Ai kujtoi edhe momentin kur ambasadori shqiptar në Francë, Luan Rama, i tregoi gazetën Le Monde me një artikull të gjatë për vdekjen e Henri Cartier-Bresson: “Më tha, po të kishte vdekur një aktor, do kishin bërë vetëm një çerek faqe, por për një fotograf bënë dy faqe. Aty e kuptova sa rëndësi i jepnin fotografisë”. Tasho rrëfeu se pas kthimit në Shqipëri nisi të merrej me fotografi tematike, duke realizuar cikle si “Karrigia e shkrimtarëve”, “Ambasadorët me veshje shqiptare” dhe “Refugjatët e Kosovës”. Për këtë të fundit ai tha se “ngjarja ishte bardhë e zi, nuk shkon ngjyra aty, sepse drama shprehet më fort në kontrast”. Albumi i tij “Qëndresa në sytë e Kosovës”, i realizuar me mbështetjen e Bekim Pacollit dhe Anë Oksës, u vlerësua edhe në Bruksel, ku u shpërnda nga Komisioni Europian.



