“Për fat të keq, Kosova nuk po arrin të zgjedhë institucionet e reja. Kemi një qeveri teknike që funksionon, por nuk mund të marrë vendime. Kjo është jashtëzakonisht e keqe për një vend që doli nga lufta dhe ishte në zhvillim e sipër,” u shpreh Pajaziti. Ai shtoi se rivalitetet politike dhe mungesa e bashkëpunimit mes partive po e çojnë Kosovën në një krizë të vazhdueshme: “Kur zoti Kurti i quajti partitë e tjera ‘hajvana’, u dha mesazhi se nuk ka bashkëpunim. Vetëvendosje po duket se ose kërkon pushtet absolut, ose kriza për mbijetesë.” Ilir Demalia ndërhyri duke theksuar se mungesa e stabilitetit politik dhe izolimi diplomatik po japin “mesazhin më të keq ndërkombëtarisht”. Pajaziti përfundoi se kjo situatë jo vetëm dëmton Kosovën, por ndikon negativisht edhe te shqiptarët e Luginës së Preshevës që presin mbështetje nga Prishtina dhe Tirana.



