Në podkastin “N’xhiro me Syçin” të Ilir Demalias, Arbër Pajaziti komentoi situatën e tensionuar politike në Kosovë dhe marrëdhëniet me aleatët perëndimorë. Ai theksoi se kriza aktuale është shumë më e thellë dhe se Kosova po humbet besimin e ndërkombëtarëve. “Ne pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa NATO-n dhe BE-në, nuk do ta kishim çliruar dot Kosovën. Por sot, pas 25 vjetësh, jemi në një pikë ku ndërkombëtarët janë lodhur me ne, ndërsa Serbia shihet si viktimë,” u shpreh Pajaziti, duke iu referuar edhe deklaratave të ambasadorit Hill se “u bë gabim që iu dha pavarësia Kosovës”. Ilir Demalia ngriti pyetjen se si është e mundur që, pas gjithë mbështetjes perëndimore, politika është kthyer në favor të Serbisë. Pajaziti u përgjigj prerë: “Kjo është e pashpjegueshme, ne po punojmë për t’i dhënë Serbisë favore. Me vetëdije apo pa vetëdije, rezultati është ky.” Në pjesën e dytë të bisedës, ai foli për gjendjen ekonomike në komunën e Bujanocit, ku është kryetar, duke theksuar se ruajtja e stabilitetit social mbështetet nga sektori privat. “Kemi zhvilluar prodhimin e dyerve dhe dritareve nga alumini e plastika që eksportohen në Zvicër e Gjermani, falë diasporës. Por ndërmarrjet shtetërore janë mbyllur ose falimentuar, çdo herë që shfaqet një blerës shqiptar, procesi i privatizimit dështojnë.”



