Në podkastin “N’xhiro me Syçin” të Ilir Demalias, i ftuar ishte Arbër Pajaziti, i cili foli për të ardhmen e Luginës së Preshevës dhe sfidat që përballen shqiptarët në këtë rajon. Ai theksoi se, pavarësisht bashkëpunimeve të mira me komunat shqiptare në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, situata në Preshevë dhe Bujanoc mbetet e vështirë. “Numri i nxënësve bie çdo ditë, rinia ikën sepse nuk sheh perspektivë. Shqiptarët nuk janë të përfaqësuar në institucione, edhe pse janë shumicë. Në Bujanoc, ku shqiptarët janë mbi 60%, në organet shtetërore nuk janë as 10%,” tha Pajaziti, duke e quajtur këtë “diskriminim të rëndë”. Një tjetër problem, sipas tij, është mosnjohja e diplomave nga Kosova, që pengon të rinjtë të punësohen në Luginë dhe i detyron të emigrojnë. Ai shtoi se, ndonëse fondet nga Kosova dhe Shqipëria janë të lejueshme përmes bankave serbe, mungon mbështetja e qëndrueshme. “Kosova e ka përfshirë Luginën në vijë buxhetore, por Shqipëria ende jo,” deklaroi Pajaziti. Ai bëri thirrje që qeveritë e dy shteteve shqiptare të krijojnë një Fond Kombëtar Solidariteti, duke ndarë një shumë simbolike prej rreth 10 milionë eurosh në vit, për të ndihmuar zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e shqiptarëve në Luginë.



