Në podkastin “N’xhiro me Syçin” të Ilir Demalias, Arbër Pajaziti foli për trajtimin e gjuhës shqipe dhe përdorimin e simboleve kombëtare në Luginën e Preshevës, duke theksuar se, ndonëse ligji e lejon përdorimin e shqipes, zbatimi mbetet problematik. “Gjuha shqipe është e lejuar në komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Dokumentet mund të merren në dy gjuhë, por shpesh edhe vetë institucionet tona nuk arrijnë t’i përkthejnë dhe i lëshojnë vetëm në një gjuhë,” shpjegoi Pajaziti, duke shtuar se kjo tregon mangësi në organizimin e brendshëm administrativ. Ndërkohë, ai ngriti shqetësimin për ndalimin ligjor të përdorimit të flamurit shqiptar në hapësirat publike. “Serbia ka një ligj që ndalon përdorimin e simboleve të njëjta me ato të një shteti tjetër. Çdo 28 nëntor, kur vendosim flamurin në godinën e komunës apo të partisë, gjobitemi deri në 1.000 euro,” tha Pajaziti. Megjithatë, ai u shpreh i vendosur: “Kam qenë disa herë në gjykatë, kam pranuar gjobat, por flamurin do ta vendos sërish. Nuk ka para që të ndalon të përdorësh simbolin tënd kombëtar.” Pajaziti shtoi se për shqiptarët e Luginës, flamuri nuk është thjesht shtetëror, por kombëtar e identitar, ndërsa ligjet serbe që e ndalojnë “shkelin hapur të drejtat e njeriut”, pa reagim serioz nga komuniteti ndërkombëtar.



