Në podkastin “N’xhiro me Syçin” të Ilir Demalia, Arbër Pajaziti ngriti alarmin për atë që ai e cilëson si “spastrim etnik të heshtur” ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Pajaziti tha se megjithëse Serbia ka bërë të detyrueshëm shërbimin ushtarak, ky vendim ende nuk ka hyrë në fuqi, por frika se shqiptarët e rinj do të detyrohen të veshin uniformën serbe po nxit largime masive nga rajoni. “Shqiptari i ri nuk do të kryejë shërbimin ushtarak për Serbinë, sepse kujtesa e luftës është ende e freskët, prindërit që dërguan djemtë në ushtri i morën në arkivol,” tha Pajaziti, duke shtuar se kjo po shkakton mosbesim dhe zhvendosje të popullsisë. Ai theksoi se spastrimi etnik po ndodh tani përmes “pasivizimit të adresave”, një praktikë që i heq shqiptarët nga regjistri civil, listat zgjedhore dhe i pengon të rinovojnë dokumentet apo të trashëgojnë pronat. “Serbia nuk po përdor më tanke, por ligje. Përmes ligjit po realizon spastrimin etnik,” u shpreh Pajaziti. Sipas tij, edhe pse çështja tashmë është ndërkombëtarizuar dhe ambasadat e huaja në Beograd, përfshirë ato të SHBA-së, Gjermanisë dhe Britanisë, janë të informuara, “nuk kanë forcë për ta ndaluar.” Ai përmendi se presidenti shqiptar Bajram Begaj e ka ngritur këtë problem në Këshillin e Sigurimit, por mekanizmat për ta frenuar Serbinë ende mungojnë.



