Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për ndryshim të masës së sigurisë “arrest me burg”.
Një vit pas arrestimit të tij për dosjen e bujshme CEZ-DIA dhe aferën e lobimit në SHBA, Meta vijon me kërkesat për të lënë qelinë.
Pas disa kërkesash të rrëzuara, një ditë më parë Meta bëri një tjetër përpjekje në Gjykatën Posaçme. Ish-presidenti dhe kreu i Partisë së Lirisë kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Prokuroria e Posaçme akuzon Metën për tre vepra penale të rënda: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Akuza që lidhen me disa çështje të përfshira në një dosje të vetme.
Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024, ndërsa SPAK ka dërguar dosjen për gjykim në fund të gushtit të këtij viti. Në të njëjtën dosje hetimore janë të përfshirë edhe emra të tjerë të njohur. Ish-bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi, akuzohet për pastrim parash.
Megjithëse kërkesat për lirim janë refuzuar njëri pas tjetrit, Meta vijon betejën ligjore për të ndryshuar masën e sigurisë.



