Në podkastin “N’xhiro me Syçin”, ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka reflektuar mbi zhvillimet historike që çuan në pavarësinë e Kosovës dhe marrëdhëniet e sotme mes shqiptarëve në rajon. Ai kujtoi vizitën e tij të parë zyrtare në Prishtinë, pak javë para shpalljes së pavarësisë.
“Kam qenë në Kosovë më 25-27 janar 2008, ndërsa pavarësia u shpall më 17 shkurt. Në atë kohë ndjehej një atmosferë serioziteti dhe përkushtimi. Më pyetën nëse isha ‘lajmtari i pavarësisë’, por unë thashë se ndodhesha atje si president i Shqipërisë, me ftesë zyrtare të zotit Sejdiu,” rrëfeu Topi. Duke komentuar zhvillimet e mëvonshme, ai theksoi se vitet 2008-2009 ishin një periudhë historike për kombin shqiptar: “Në atë kohë gjithçka shkonte drejt përmirësimit, pavarësia e Kosovës, hyrja e Shqipërisë në NATO, koha fliste për shqiptarët.”
Megjithatë, Topi vuri në dukje se Kosova duhej të kishte bërë më shumë për konsolidimin e shtetit: “Dilnin qartë nevojat për ndërtimin e institucioneve, sigurisë dhe për t’u bërë pjesë e gjeopolitikës ballkanike.” Në fund, ish-presidenti tregoi edhe një episod nga marrëdhëniet rajonale, kur refuzoi të merrte pjesë në inaugurimin e presidentit maqedonas Ivanov, pasi ky nuk kishte ftuar homologun kosovar. “Në ato kushte, i thashë se nuk kisha pse të shkoja,” përfundoi Topi.



