Në podcastin “N’xhiro me Syçin” me Ilir Demalin, ish-presidenti Bamir Topi ka komentuar protestën e thirrur në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si “një nevojë legjitime dhe ndjesi popullore”.
“Tubimi është mëse i nevojshëm, mëse i rëndësishëm, sepse është një reagim ndaj një padrejtësie që po bëhet ndaj përfaqësuesve të UÇK-së,” tha Topi. Ai shtoi se shumë zëra ndërkombëtarë kanë ngritur shqetësimin se “ky proces ka kaluar çdo limit”. Sipas ish-presidentit, duhet bërë dallimi midis të drejtës qytetare për të protestuar dhe hipokrizisë politike që shpesh fshihet pas këtyre çështjeve.
“Politika ka brenda shumë hipokrizi dhe kalkulime të natyrës klanore apo interesave të ngushta. Kjo nuk më habit,” u shpreh ai. Topi kujtoi edhe vizitën e tij në vitin 2022 në Hagë, bashkë me ish-presidentët Mejdani dhe Moisiu, si dhe me Fatmir Sejdiun e Behgjet Pacollin, ku takuan të paraburgosurit e UÇK-së. “Kushtet ishin normale, por ajo që mungonte ishte liria. Problemi sot nuk është izolimi, por drejtësia e kauzës,” theksoi ai. Në përfundim, Topi apeloi që “drejtësia të bëhet mbi bazën e realitetit dhe jo të ndikimeve politike”, duke paralajmëruar se “viktima nuk duhet të shndërrohet sërish në viktimë, ndërsa agresori të mbetet i qetë në strukturat e shtetit”.



