Ish-presidenti Bamir Topi ka komentuar ngërçin politik në Kosovë në podkastin “N’xhiro me Syçin” të Ilir Demalias, duke e cilësuar situatën aktuale “të pashpjegueshme, por njëkohësisht shumë të shpjegueshme”. Sipas Topit ky ngërç lidhet ngushtë me “interesat politike dhe kryeneçësinë e drejtuesve institucionalë”, të cilët, megjithëse janë këshilluar disa herë nga ndërkombëtarët, “vazhdojnë të ecin në të njëjtën rrugë”.
“Këshillat duhet të dëgjohen. Parimi është të këshillosh një herë, dy herë, tre herë. Po janë shumë raste që janë këshilluar dhe sërish vazhdojnë si më parë,” theksoi Topi. Ai nënvizoi se një vend i vogël si Kosova, që gëzon kujdesin e shtetit më të fuqishëm në botë, duhet të tregojë pjekuri politike dhe përgjegjësi shtetërore.
“Shqipëria është vend i vogël, Kosova edhe më i vogël. Por pikërisht për këtë duhet të dëgjohet dhe të demonstrojë që është aleate, jo vetëm në momentin e çlirimit, por në çdo kohë,” përfundoi ish-presidenti.



