Ish-presidenti Bamir Topi ishte i ftuar në podkastin “N’xhiro me Syçin”, ku foli për situatën aktuale në Kosovë dhe ndikimin e politikës së brendshme dhe të jashtme. Topi e vlerësoi gjendjen e vendit, por paralajmëroi për sfidat e shumta. “Kosova sot nuk është më për fat të keq në atë konsideratë që unë sapo shpreha,” tha Topi, duke shtuar se, megjithatë, interesat politike shpesh prevalojnë mbi ato të mëdha të vendit.
Ai kujtoi se pa Shtetet e Bashkuara dhe partnerët kryesorë ndërkombëtarë, Kosova nuk do të ekzistonte: “Plotësisht dakord? Nuk do kishte Kosovë. Pra, në momentin që ti e merr këtë benefit të jashtëzakonshëm për shoqërinë dhe historinë e Shqipërisë edhe të kombit shqiptar e të Kosovës, atëherë duhet të jesh jashtëzakonisht i vëmendshëm në këshillat e partnerëve.” Topi shtoi se politika në Kosovë është bërë multipolare dhe fragmentuar, duke munguar zëra autoritarë që të sigurojnë sinergji.
Ai theksoi se shqetësimet ndërkombëtare nuk janë vetëm politike, por edhe ekonomike: “Në fund fare shqetësimet nuk janë thjesht të natyrës politike dhe të moralit, por janë të natyrës ekonomike.” Ish-presidenti përmendi gjithashtu vizitat e tij jashtë vendit, duke treguar se diplomacia e suksesshme shpesh kërkon fleksibilitet dhe takime informale: “U gjet e arsyeshme që takimi të mos bëhej në një mjedis institucional, por një ndonjë kafene të pishim një kafe.”



