I ftuar në podkastin “N’xhiro me Syçin”, ish-presidenti Bamir Topi analizoi sfidat historike dhe politike të shqiptarëve në Ballkan. Ai vuri në dukje një “virus” të qëndrimeve të kundërta dhe mungesës së bashkëpunimit: “E njëjta gjë ndodh këtu, e njëjta gjë në Kosovë dhe po kudo. E njëjta gjë në Maqedoni. Pra duket që një virus qarkullon.”
Topi krahasoi situatën me fqinjët: “Serbët kanë 1.000 probleme, grekët kanë 1.000 probleme, por kur vjen puna për interesat e Greqisë dhe të Serbisë, bëhen bashkë.” Ish-presidenti theksoi nevojën për transparencë dhe përgjegjësi historike: “Historia duhet bërë me ligj. Cilido që merr funksione publike është i detyruar të marrë dokumentin që tregon nëse ka pasur bashkëpunim me sigurimin e shtetit.”
Ai kujtoi përpjekjet e tij për ligjin e hapjes së dosjeve në vitin 2006: “Projektligji u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, sepse nuk garantonte neutralitetin politik dhe ideologjik.”



