Në episodin e fundit të podkastit N’xhiro me Syçin, ish-presidenti Bamir Topi foli për tensionet në Ballkan dhe rolin e Serbisë në Kosovë. Ai vuri theksin tek ndikimi i jashtëm dhe strategjitë e Beogradit. Topi shprehu shqetësimin për lëvizjet e Serbisë: “Serbët e shfrytëzojnë sepse kanë interesat e tyre. Janë në qark të shkurtër me Rusinë.
Në çdo moment çdo veprim i Serbisë është i konsultuar me Rusinë,” tha ai. Ish-presidenti e përshkroi Serbinë si fuqinë më të madhe ushtarake në Ballkan, duke shtuar: “Predispozicioni i Serbisë ka qenë gjithmonë agresor.” Sipas Topit, kjo situatë bën të domosdoshme një gatishmëri të lartë: “Në këto kushte duhet të jemi jashtëzakonisht të përgatitur,” duke theksuar se roli i ndërkombëtarëve, sidomos SHBA-ve dhe BE-së, mbetet vendimtar për sigurinë e Kosovës.
I pyetur për kapacitetin e Kosovës, ai u përgjigj: “Sigurisht që janë në proces përgatitjeje, por garancitë kryesore janë nga ndërkombëtarët.” Topi kritikoi gjithashtu egocentrizmin e liderëve shqiptarë në Ballkan: “Egocentrizmi i liderëve është i njohur. Problemi nuk është tek lideri, por tek shoqëritë.” Podkasti trajtoi edhe temat e përgjegjësisë politike dhe ndikimit të klaneve. Topi ironizoi për dështimet historike: “Edhe kjo ka ndodhur pas një humbjeje katastrofike të Shqipërisë në Gjermani, 8 me zero. Por në fund, autoriteti mbetet vendimtar.”



