Ish-presidenti Bamir Topi analizoi sjelljen e opozitës dhe të mazhorancës në parlamentin shqiptar, duke vënë theksin mbi etikën dhe komunikimin. Topi kujtoi eksperiencën e tij si kryetar i grupit parlamentar, si në opozitë, ashtu edhe në mazhorancë.
“Unë kisha një qëndrim civil, nuk thyeja asnjëherë etikën në debatet parlamentare,” tha ai, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së një komunikimi të qetë edhe në momente të tensionuara. Ai kritikoi opozitën e sotme, duke e quajtur “nervoze” dhe larg kauzave të qarta. “Sot kjo opozitë arrin kulmin e sjelljes së saj, duke u ulur gjithmonë më poshtë me retorikë jo konstruktive,” u shpreh Topi. Por edhe mazhoranca, sipas tij, duhet të tregojë më pak cinizëm.
“Ka shumë cinizëm që vjen nga numrat dhe mënyra se si udhëhiqet nga lideri,” tha ai. Topi foli gjithashtu për rëndësinë e rregullave në parlament. Ai kujtoi se, gjatë kohës kur ishte kryetar grupi, kishte kohë të caktuar për të folur dhe respektohej minutazhi: “Në momentin që binte gongu, unë ndërprisja. Nëse nuk ke folur brenda 10 minutave, nuk ke më çfarë të thuash.”
Ish-presidenti theksoi se etiketa dhe komunikimi janë thelbësore: “Akuzat mund të jenë të forta, por çështja e etikës është shumë e rëndësishme.” Ai shtoi se parlamenti duhet të ofrojë mundësinë për debate konstruktive, dhe çdo deputet duhet të respektojë minutazhin e fjalës.



