Në episodin më të fundit të podkastit “N’xhiro me Syçin”, gazetari dhe analisti Ben Andoni analizoi gjendjen e brendshme politike në Serbi dhe ndikimin që ajo ka reflektuar edhe në arenën sportive.
Sipas Andonit, trajneri i kombëtares serbe, Stojkoviç, është bërë pjesë e debatit publik jo vetëm për rezultatet në fushë, por edhe për lidhjet me pushtetin. “Gazetat serbe kanë shkruar se ai ka kredi të mëdha në bankat e Beogradit dhe se konsiderohet i afërt me Vuçiçin. Kjo ka bërë që shumë ta shohin si të pamotivuar dhe të kontrolluar politikisht,” tha ai.
Andoni theksoi se presidenti serb Aleksandar Vuçiç po humbet terren politik dhe mbështetje popullore. “Vuçiçi po mbahet me oksigjen deri në vitin 2027. Aty pritet të mbahet një panair i madh në Serbi, që duket se është caku i tij për të qëndruar në pushtet,” u shpreh ai.
Ndërkohë, për protestat e vazhdueshme kundër regjimit, analisti theksoi lodhjen e qytetarëve: “Proteston, proteston dhe kur nuk merr përgjigje, fillon përçarja dhe lodhja. Serbët janë të konsumuar nga kjo situatë, sepse kur nuk ka rezultat, nuk mund të protestosh pafund.”
Sipas Andonit, korrupsioni dhe lidhjet e pushtetit me biznesin po e mbajnë Serbinë në një spirale stanjacioni politik.



