Në episodin e fundit të podkastit N’xhiro me Syçin, gazetari Ilir Demalia zhvilloi një bisedë me analistin Ben Andoni mbi zhvillimet politike në Kosovë dhe rezultatet e zgjedhjeve lokale.
Në hyrje të bisedës, të dy komentuan me humor edhe për fitoren e Kosovës në futboll, ku Andoni theksoi se “Kosova ka një ekip më të maturuar se ne, me trupa më sportivë nga ana antropologjike”. Ai shtoi se “një fitore me Suedinë ishte një sinjal që tregon për rritjen e nivelit të tyre”.
Duke kaluar te politika, Ilir Demalia e pyeti për rezultatin e zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe nëse ato ishin të pritshme. Andoni u shpreh se “nuk e besoja të kishte këtë konfigurim, por është shumë demokratik për sistemin zgjedhor që ka Kosova, i ngjashëm me atë të Francës, që i jep mundësi përfaqësimit të gjerë politik dhe respekt më të madh për individin”.
Sipas tij, procesi zgjedhor në Kosovë “është efikas dhe i shpejtë, falë faktit që numërimi bëhet në zonat zgjedhore”.
Duke analizuar performancën e Vetëvendosjes, Andoni tha se “me gjithë goditjet që ka marrë, ajo ka ruajtur nivelin e katër viteve më parë, duke qenë në balotazh në 12 komuna”.
Sipas tij, “Kurti harxhoi më shumë kohë në Mitrovicën e Jugut, që donte ta përdorte si simbol të suksesit politik”.



