Në podkastin “N’xhiro me Syçin”, të moderuar nga Ilir Demalia, analisti Ben Andoni analizoi zhvillimet politike në Kosovë pas zgjedhjeve lokale, duke theksuar se “fituesit e vërtetë në këto zgjedhje ishin serbët, të cilët kanë marrë nëntë komuna pa balotazh”.
Sipas Andonit, ndonëse sistemi politik në Kosovë është demokratik, “rajonet janë ende të ndara në zona influence”, ku individë me ndikim lokal e klane të ndryshme luajnë rol vendimtar në rezultatin elektoral. Ai solli shembuj konkretë si “Lushaku, që fiton për shkak të forcës dhe lidhjeve të klanëve” dhe “Lladrovci, i cili u mbështet nga baza e vet elektorale”.
Në lidhje me partitë kryesore, Andoni vlerësoi se “LDK-ja është rritur në këshillat komunalë, ndërsa PDK-ja ka pësuar rënie për shkak të politikave të paqarta dhe qëndrimeve të dyzuara ndaj luftës”. Ndërkohë, sipas tij, Vetëvendosja “po përdor zgjedhjet lokale për t’u përgatitur për ato të përgjithshme”.
Sa i përket komunitetit serb, Andoni theksoi se “strukturat paralele po marrin sërish oksigjen” dhe se Beogradi ka ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatet: “Vuçiç deklaroi se nuk ka fjetur gjithë natën nga humbja, por është i gëzuar sepse serbët po kthehen në pushtet në Kosovë.”
Sipas tij, kjo situatë do ta vështirësojë më tej pozitën e Albin Kurtit, i cili “u mundua t’i luftonte këto struktura, por tani përballet me një realitet të ri politik”.



