Në podkastin “N’xhiro me Syçin” të Ilir Demalias, analisti Ben Andoni komentoi rezultatet e zgjedhjeve lokale në Kosovë, duke theksuar se “Vetëvendosja është e kënaqur me rezultatin, por ai tregon nevojën për një testim të dytë të elektoratit”.
Sipas Andonit, “Albin Kurti doli i qetë dhe i kënaqur në konferencën e shtypit, megjithëse nuk la pa akuzuar median dhe sondazhet”, por rezultati, në thelb, “tregon konsumim dhe problematika serioze që po e ndjekin qeverinë”. Ai kujtoi se “Kosova ka 300 milionë euro të bllokuara dhe një pjesë të fondeve të Bashkimit Europian që nuk po shkojnë në destinacion”, ndërsa “çdo ditë vonesë e ngritjes së institucioneve i kushtonte vendit 2 milionë euro”.
Nga ana tjetër, vuri në dukje se balotazhet do të përcaktohen nga mënyra se si do të luhen aleancat e vogla, duke përmendur se “LDK, PDK dhe AAK kanë marrë secila nga dy komuna, ndërsa Vetëvendosja do të duhet të shohë nëse do t’i hapë rrugë LDK-së në disa zona”.
Andoni shtoi se qytetarët e Kosovës “janë më të kujdesshëm se shqiptarët për pushtetin lokal, sepse mendojnë më shumë për administratorin sesa për politikanin”. Sipas tij, opozita do ta shfrytëzojë këtë moment për të testuar terrenin, ndërsa “Vetëvendosja pritet të kërkojë zgjedhje të reja në dhjetor”.



