Analisti dhe publicisti Ilir Demalia ndodhet në Serbi për të ndjekur nga afër ndeshjen mes Shqipërisë dhe Serbisë, duke ndarë me ndjekësit e tij atmosferën para sfidës.
Në një video të publikuar gjatë udhëtimit drejt stadiumit, Demalia tregon masat e rrepta të sigurisë që kanë shoqëruar delegacionin shqiptar. “Ekipi kombëtar po niset drejt stadiumit,” shprehet ai, ndërsa filmon autokolonën e makinave të policisë. “Jo vetëm që jemi të shoqëruar me polici, por është bllokuar komplet rruga që kalojmë ne deri në stadium.” Pamjet tregojnë një prani të madhe të forcave të sigurisë në të dyja anët e rrugës, ndërsa automjetet shqiptare udhëtojnë nën mbrojtje të plotë.
Demalia thekson se atmosfera është e tensionuar, por gjithashtu shpresëdhënëse. “Urojmë një fitore për ekipin kombëtar sot. Do të jetë sigurisht e vështirë, por jo e pamundur,” dëgjohet të thotë ai në fund të videos. Ndeshja Shqipëri–Serbi pritet me interes të lartë, jo vetëm për rëndësinë sportive, por edhe për sfondin historik dhe emocional që shoqëron përballjen mes dy ekipeve.



