Aktori i njohur Xhevahir Zeneli ndau detaje nga karriera e tij e hershme dhe përvojat në estradën e Tiranës. “Filmi i parë që bëra ishte në vitin e dytë të shkollës, ‘Kush vdes në këmbë’, me Petro Nini Luarasin,” rrëfeu Zeneli, duke shtuar se rolet e dyta dhe të treta i interpretoi nën regjinë e Vladimir Priftit.
Duke folur për rrugëtimin e tij artistik, Zeneli kujtoi periudhën në estradë, e cila sipas tij “vazhdonte për vite me radhë deri në vitin 1999. Kishte një punë intensive dhe bashkëpunim të ngushtë me artistët më të mirë të kohës. Ai shpjegoi se shfaqjet nisnin në fillim të vitit dhe vazhdonin deri në fund të vitit, duke përfshirë premierat sezonale. Pyetjes së moderatorit Ilir Demalia për ndryshimet profesionale dhe sensin e humorit, Zeneli u përgjigj: “S’besoj se ka krahasim. Të rinjtë kanë liri dhe mundësi, por sensi i humorit është ende më i zhvilluar tek ata të asaj kohe.”
Ai kujtoi momentin e diplomimit: “Na kishte ardhur pedagog Sulejman Pitarka, dhe ai na mësoi se tragjedia dhe komedia ndahen vetëm nga një cipe e hollë, si e bardha dhe e verdha e vezës. Ai që bën komedi, di të bëjë edhe tragjedi shumë bukur.”



