Në episodin më të fundit të podcast-it “N’xhiro me Syçin” të Ilir Demalia, i ftuar ishte politologu Endri Shabani, i cili hodhi kritika të forta ndaj sistemit të drejtësisë dhe pushtetit të prokurorisë në Shqipëri. Ishte Demalia që theksoi se shpesh ndodhin arrestime pa prova të plota dhe se ky fenomen po shndërrohet në një problem të rëndë institucional.
“Në Amerikë janë dënuar njerëz me 30 vjet burg dhe më pas kanë dalë të pafajshëm. Kjo ka ndodhur në çdo vend, prandaj është më mirë një fajtor jashtë sesa 100 të pafajshëm në burg,” tha ai, duke nënvizuar nevojën për një balancim të pushtetit të prokurorëve. Shabani më tej tha se çështja lidhet kryesisht me Kodit e Procedurës Penale dhe jo thjesht me Kodin Penal. “Prokurori sot është bërë gjykatës. Arreston, vendos masa dhe shpesh përdor presion mbi të pandehurit. Kam pasur raste kur janë shantazhuar me informacione private,” deklaroi Shabani. Ai solli edhe shembullin e situatës së krijuar me bashkinë e Tiranës, ku për shkak të hetimeve ndaj kryetarit, qytetarët mbeten pa drejtues real.
“Nuk mundet që një qytet të mbetet pa kryetar bashkie për vite të tëra vetëm se është marrë peng nga prokuroria. Deri sa të ketë një vendim përfundimtar, duhet garantuar funksionimi i institucioneve,” u shpreh Shabani. Në vijim, ai kritikoi edhe kaosin në administratë dhe dëmet financiare që vijnë nga shkarkimet e padrejta. “Janë miliona dollarë që shteti paguan në dëmshpërblime për pushime nga puna pa baza ligjore. Kjo tregon primitivitet institucional,” theksoi ai.



