Ilir Demalia, në podkastin “N’xhiro me Syçin”, denoncoi hapur shkatërrimin e zonave bregdetare nga biznesmenë të fuqishëm dhe heshtjen e qëllimshme të mediave e politikës.
Ai theksoi se Palasa është kthyer në simbol të uzurpimit që po ndodh në gjithë Shqipërinë. “Këta kanë fuqi financiare të madhe, por janë uzurpatorë. Kanë bllokuar lumin e Palasës dhe kanë ndërtuar mbi shtratin e tij. Një përmbytje mund të ndodhë një herë në 10 ose 20 vjet, por ai e ka mbyllur krejt,” deklaroi Demalia.
Ai shtoi se të njëjtin fat kanë pasur dhe zona si Golemi dhe Korsi, ku “janë ngritur vila aty ku ishte kampi i punëtorëve”. Demalia u ndal edhe te media: “Kam shkruar një artikull për Zamir Manën. Pesë gazeta e hoqën brenda dy orësh. As media nuk flet më, është kapur njësoj si politika dhe ekonomia.” Ai kritikoi edhe promovimin publik të oligarkëve: “Blendi Fevziu dje i bëri reklamë një hoteli në Vlorë, ndërsa askush nuk flet për çfarë është bërë në Palas.”
Sipas tij, vendi është futur në një bllokadë të trefishtë “ekonomike, politike dhe mediatike”. Si rrugëdalje, ai apeloi te shtresa intelektuale: “Ka ende njerëz që mendojnë për këtë vend. Duhet të flasim më herët sesa vonë, sepse kjo e keqe do na prekë të gjithëve.”



