Në podkastin “N’xhiro me Syçin” të Ilir Demalias, Enkelejd Alibeaj analizoi me tone kritike historinë dhe gjendjen aktuale të Partisë Demokratike, duke theksuar ndarjet e brendshme dhe mungesën e një identiteti të qartë të djathtë. Sipas tij, që në fillim një pjesë e ish-të përndjekurve dhe ish-pronarëve “u bashkuan natyrshëm me një alternativë që nuk e njihnin, por që e panë si krijesë të tyre përballë Partisë së Punës”.
Megjithatë, Alibeaj nënvizoi se PD nuk u bë asnjëherë strehë reale për këtë shtresë. “Partia Demokratike nuk ka përfaqësuar kurrë në mënyrë të qartë të djathtën klasike,” tha ai. Ai shtoi se qëndrimet për pronën, të përndjekurit dhe shtetin e së drejtës “nuk u vendosën kurrë si bosht politik, edhe pse ishte e mundur që prej viteve ’90”. Alibeaj foli edhe për konfliktet e brendshme: “Brenda PD-së kanë bashkëjetuar gjithmonë dy rryma: ata që e krijuan dhe ata që mbetën në pakicë, idealistët.” Kjo përplasje, sipas tij, u bë e dukshme vetëm pas vitit 2011.
Duke kaluar në realitetin aktual politik, ai u shpreh se monopoli ekonomik dhe kapja e politikës prej pak familjeve ka bllokuar tregun e lirë.



