Ilir Demalia, në hapjen e episodit më të fundit të “N’xhiro me Syçin”, ndezi debatin mbi identitetin politik të së djathtës në Shqipëri dhe krizën e opozitës. Ai prezantoi të ftuarin Enkelejd Alibeaj si “një nga të paktët që u përpoq të krijonte një bërthamë të djathtë”, por kujtoi se “votuesit shqiptarë e refuzuan”.
Demalia vuri në pikëpyetje vetë ekzistencën e së djathtës në vend: “A ka të djathtë Shqipëria? Ne flasim për të djathtën si nocion, por Partia Demokratike nuk e ka përfaqësuar asnjëherë, as në konceptin ekonomik, as në doktrinën politike, as në filozofinë e saj.” Ai theksoi se opozita aktuale është e padukshme dhe pa vizion: “Opozita që kemi sot është irelevante. Deputetët kapen me thonj pas karriges vetëm për të ruajtur bizneset që i kanë bërë kur kanë qenë në pushtet.”
Duke iu referuar konkretisht rasteve të korrupsionit dhe pasurive të pajustifikueshme, Demalia solli shembullin e një ish-zyrtari lokal: “Kishte një vilë që do t’ia kishin zili edhe miliarderët e Europës. Këto nuk justifikohen dot.” Sipas tij, kriza nuk është vetëm morale, por historike: “Partia Demokratike u shfaq si anti-Partia e Punës, por shumë prej tyre ishin bashkëpunëtorë të sigurimit. Nuk ka pasur kurrë një të djathtë reale.”



