Në podcastin “N’xhiro me Syçin”, publicisti Ilir Demalia ngriti shqetësimin për mënyrën si është shkatërruar natyra dhe bregdeti shqiptar gjatë dekadave të fundit, duke e lidhur këtë me keqmenaxhimin e pronave dhe babëzinë pa fre.
“Ne kemi mjaft mangësi, mjaft difekte, mjaft probleme me administratën dhe me mënyrën si funksionon shteti. Korupsioni lidhet ngushtë edhe me ndërtimet, të cilat janë një të marrëzi e madhe,” tha Demalia. Ai ndaloi veçanërisht tek Palasa, që sipas tij është kthyer në një katastrofë urbane dhe ekologjike. “Kur u ktheva pas 35 vitesh, mbeta i tronditur. Palasa dikur ishte një perlë, ndërsa sot është kafshuar nga ndërtime pa kriter që kanë shkatërruar fondin e tokës dhe ekosistemin,” u shpreh ai. Duke bërë një krahasim me përvojën greke, Demalia solli shembullin e Pargës dhe Sivotës.
“Atje ndërtimet janë të fshehura mes gjelbërimit dhe nuk prishin harmoninë e natyrës. Ndërsa tek ne babëzia ka shkatërruar gjithçka që Zoti e ka bërë të bukur,” tha publicisti. Sipas tij, përgjegjësia ndahet mes shtetit dhe individëve. “Shteti nuk ka zbatuar ligjet, por edhe njerëzit kanë ngritur baraka e kioska kudo. Sot disa prej tyre e quajnë veten elitë, por realisht kanë qenë ata që e kanë masakruar Shqipërinë,” përfundoi Demalia.




