Në podkastin “N’xhiro me Syçin”, gazetari Alban Dudushi foli gjerësisht mbi raportin e shqiptarëve me mjedisin dhe funksionimin e shtetit, duke theksuar se vendi nuk mund të mbështetet vetëm te individët, por duhet të ndërtojë sisteme të qëndrueshme.
“Raporti im me natyrën dhe ambientin është i fortë, ndaj më shqetëson fakti që ne e kemi shkatërruar hapësirën publike. Në shumë vende të rajonit apo edhe në Itali, menaxhimi i mbetjeve është shumë më i organizuar se tek ne,” u shpreh Dudushi. Ai solli shembullin e një fshati pranë Napolit, ku ndarja e mbetjeve bëhej në ditë të caktuara, pa pasur kazanë të hapur në rrugë.
“Aty nuk shihje kurrë plehra në rrugë. Ka qenë një zgjidhje e thjeshtë dhe funksionale,” tha ai. Gazetari theksoi se problemet e mjedisit dhe të pastërtisë publike kërkojnë “penalitete të forta” dhe një qasje të pamëshirshme nga qeveria. Ai solli si shembull ndalimin e duhanit në ambientet publike, që sipas tij u zbatua vetëm kur Edi Rama erdhi në pushtet në vitin 2013. “Ligjet nuk mjaftojnë, por duhen edhe ndërgjegje dhe sisteme të qëndrueshme,” tha Dudushi. Ai kritikoi mungesën e konsistencës në administrim, duke përmendur periudhën e Erion Veliajt si kryebashkiak, kur sipas tij Tirana ishte më e pastër.
“Problemi është se te ne gjithçka lidhet me individë. Sapo ikën një personazh, prishet mekanizmi. Kjo tregon që nuk kemi sistem,” përfundoi Dudushi.



