Ditën e sotme, Shqipëria do të
hapë edhe katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin
Evropian.
Vendi ynë do të mbajë më 16
shtator, me ftesë të Danimarkës, Konferencën e 6-të Ndërqeveritare me BE.
Takimi do të shërbejë për të
hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grupin 4 “Agjenda e gjelbër dhe lidhshmëria
e qëndrueshme”, duke përfshirë kapitujt 14 (Politika e transportit), 15
(Energjia), 21 (Rrjetet transevropiane) dhe 27 (Mjedisi dhe ndryshimet klimatike).
Takimi i nesërm në Bruksel
pritet të bashkëdrejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja për Çështjet
Evropiane të Danimarkës, Marie Bjerre.
Sipas agjendës Konferenca
Ndërqeveritare pritet të nisë në orën 08:00, teksa konferenca për shtyp është
planifikuar rreth orës 09:15 dhe Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së
do të pasojë në orën 10:00.
“Palët do të fillojnë duke
miratuar agjendën e takimit dhe duke miratuar procesverbalet e KNQ-ve të
mëparshme të mbajtura në prill dhe maj të këtij viti. Kjo do të pasohet nga
fjalimet hapëse, së pari nga ministrja e Danimarkës Bjerre në emër të
presidencës së Këshillit të BE-së, pastaj nga kryeministri Rama dhe hapja e
negociatave për grupin 4″, bëri të ditur një zyrtar i B-së.
Ministrja e Danimarkës, do të
paraqesë të ashtuquajturin “Qëndrim të Përbashkët të BE-së”, siç është rënë
dakord nga BE-ja, dhe do t’i kërkojë kryeministrit Rama nëse Shqipëria mund të
bjerë dakord me hapjen e këtij grupi.
Komisionerja për Zgjerimin,
Marta Kos do të japë gjithashtu vërejtjet e saj në këtë drejtim. Kryeministri
Rama, do të paraqesë qëndrimin e Shqipërisë.
Në fund do të ketë disa fjalime
të shkurtra përmbyllëse nga delegacioni i BE-së, ministrja e Danimarkës, Marie
Bjerre dhe Komisionerja Marta Kos, si dhe nga kryeministri Rama, me të cilat
takimi do të përfundojë zyrtarisht.
Më 24 mars 2020 ministrat për
Çështjet Evropiane dhanë miratimin politik për hapjen e negociatave me
Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky vendim u miratua me procedurë të shkruar
dhe u mbështet nga Këshilli Evropian.
Më 19 korrik 2022 u mbajt
Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, që shënoi zyrtarisht hapjen e
negociatave me Shqipërinë.
Më 15 tetor 2024 u mbajt
Konferenca e dytë, ku u hapën negociatat për Grup-kapitullin 1 – Themeloret.
Më 17 dhjetor 2024 u mbajt
Konferenca e tretë, ku u hapën negociatat për Grup-kapitullin 6 – Marrëdhëniet
e jashtme.
Më 14 prill 2025 u mbajt
Konferenca e katërt, e cila u fokusua në Grup-kapitullin 2 – Tregu i brendshëm,
dhe ku BE vendosi gjithashtu kriteret për mbylljen e përkohshme të kapitujve të
këtij grupi.
Më 22 maj u mbajt në Bruksel
Konferenca e pestë Ndërqeveritare për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin
Evropian.
Kjo konferencë shërbeu për të
hapur negociatat me Shqipërinë mbi grup-kapitullin 3: “Konkurrueshmëria dhe
rritja gjithëpërfshirëse”. Në këtë grup-kapitull përfshihen: Kapitulli 10 –
Transformimi digjital dhe media; Kapitulli 16 – Taksat; Kapitulli 17 – Politika
ekonomike dhe monetare; Kapitulli 19 – Politika sociale dhe punësimi; Kapitulli
20 – Politika për ndërmarrjet dhe industrinë; Kapitulli 25 – Shkenca dhe
kërkimi; Kapitulli 26 – Arsimi dhe kultura; Kapitulli 29 – Bashkimi doganor.




