Ilir Demalia ka shpërthyer me tone të ashpra ndaj
kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjatë një debati në emisionin “Shqipëria
Live” në Top Channel, ku u diskutua për ultimatumet e Shteteve të Bashkuara
lidhur me dialogun Kosovë–Serbi.
“Unë mendoj se SHBA kanë dhënë këtë deklaratë për të tundur
popullin e Kosovës në lidhje me Albin Kurtin. Albin Kurti de facto sot është
non grata,” tha Demalia, duke e cilësuar kryeministrin kosovar si një “idiot”.
Ai shtoi se veprimet e Kurtit nuk janë në interes as të
Kosovës dhe as të shqiptarëve. “Nëse kosovarët e duan këtë gjendje, le ta
gëzojnë. Por duhet të kemi një gjë të qartë: 1- Kosova nuk do të ishte kurrë e
pavarur pa SHBA. 2- Larg qoftë të tërhiqen SHBA dhe Europa, në këtë situatë
gjeopolitike, Kosova nuk i reziston dot dy javë Serbisë. Serbia e bën më keq se
në vitin 1998,” paralajmëroi ai.
Demalia iu referua edhe deklaratës së fundit të ambasadorit
amerikan në Beograd, Christopher Hill, i cili tha se Uashingtoni kishte gabuar
që ndërhyri në Kosovë. “Le të bëjmë duart si shqiponjë dhe të vëmë qeleshet,
por realiteti është ky: pa Amerikën, Kosova është e pambrojtur,” shtoi ai.
Ndërkohë, gjatë debatit, eksperti Artur Meçollari e
kundërshtoi mënyrën e pyetjeve të Demalias, duke theksuar se pyetja duhej të
ishte nëse Albin Kurti ka përmbushur betimin si kryeministër.



