Sipërmarrësi Gjergj Luca ka reaguar ashpër pas incidenteve dhe përplasjeve të regjistruara në Tiranë në Ditën e Flamurit, duke fajësuar drejtpërdrejt klasën politike dhe partitë për nxitjen e dhunës. Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Luca shprehet i dërmuar nga pamjet e adoleshentëve me gurë në duar, duke theksuar se politika po e ndan kombin pikërisht në ditën që duhet t’i bashkojë shqiptarët.
Duke cituar vargjet e At Gjergj Fishtës dhe thënien e njohur të Faik Konicës se “Shqipëria lindi prej Zotit, shpëtoi prej rastësisë dhe vdiq prej politikanëve”, ai lëshoi një paralajmërim të fortë moral për organizatorët e këtyre skenave.
“Turpi u mbetet atyre që zgjodhën dhunën. Atyre që kanë guxuar t’u thonë fëmijëve tanë ‘kapni gurin me 28 Nëntor dhe flamurit tuaj’, u them se kanë për të qenë turpi i historisë shqiptare. Flamuri na përket të gjithëve”, deklaroi Luca.



