
I.D
Më 28 Nëntuer 1913, At Gjergj Fishta, një prej mbrojtësve më të mëdhenj të çështjes shqiptare, që e mbrojti Shqipninë nga Parisi deri në Washington, që luftoi për identitetin tonë kombëtar dhe për Alfabetin Latin, si urë e Shqipnisë drejt Perëndimit, shkroi vargje që tingëllojnë tronditshëm aktuale edhe sot, në 28 Nëntuer 2026.
Mbi një shekull më parë, Fishta e shihte Shqipninë të lirë, por shqiptarët të përçamë. E shqetësonte një komb që kishte fitue shtetin, por ende nuk kishte fitue bashkimin, dashninë për Atdheun dhe vetëdijen kombëtare.
Sot, në vitin 2026, në një kohë kur anarkia politike, interesat e ngushta dhe ndikimet otomaniste, turko-sllave e greke vijojnë të sfidojnë identitetin dhe interesat tona kombëtare, këto vargje nuk janë thjesht kujtesë historike. Janë një pasqyrë ku duhet të shohim veten.
28 NANDUER 1913
Oj Zanë, t’këndojm… t’vajtojm, deshta me thanë;
Pse sot ditë kangët s’asht për mue e tye.
Po ç’gzim kjo ditë ne mundet me na dhanë,
Kur, qe; mbas nji motmoti q’iu pëlqye
Europës shqiptarin zot n’shpi t’vet me lanë
E kujt pose Hyut, n’këtë jetë mos me i shërbye,
Shqiptari i ndam’ prap me vedvedi gjindet
E shk’asht ma zi, prej vedit edhe s’bindet…
………………………………………………………………….
Flamuri kombtar nuk ka ç’ka ban nder ne,
Po kje se dashtni nuk kem’ për Atdhe!
E, drue dashtni për Atdhe nuk ka shqiptari;
Me gjasë, s’çan krye shqiptari për komb t’vet,
As për at gjuhë të ambël qi i la i Pari,
As pse Shqipnia n’vedi u ba sot shtet;
Pse e shoh se veç atje ku xhixhllon ari
Pa frymë e tue dihatë vrap ai nget,
Si Krishtin shiti Juda Iskarjot.
28 Nëntori nuk është vetëm dita kur ngremë flamurin. Është dita kur duhet të pyesim veten nëse e meritojmë atë.
Sepse flamuri nuk na bashkon vetëm duke e valëvitur, por duke e mbrojtur Shqipninë, gjuhën, identitetin, dinjitetin dhe interesin kombëtar.
Fishta na e la këtë testament më 1913. Mbi një shekull më vonë, pyetja mbetet po ajo:
A kemi Shqipni vetëm në hartë, apo kemi edhe dashni për të në zemër?
Gëzuar 28 Nëntorin!



