
Nga Sokol Neçaj
Më 14 nëntor, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, një pjesë e publikut fishkëlleu gjatë himnit të Izraelit. Disa futbollistë të Kosovës e mbajtën kokën ulur. Pamjet tregojnë qëndrimin e tyre gjatë himnit. Motivet individuale mbeten të paqarta. Por ajo që u pa dhe u dëgjua në stadium mjafton për të shtruar një pyetje: si duam të sillet përfaqësuesja e Kosovës kur vetë Kosova është mikpritëse?
Në traditën shqiptare, respekti për mysafirin është detyrë e të zotit të shtëpisë. Në futbollin ndërkombëtar, kjo detyrë ka një shprehje të thjeshtë. Kur luhet himni i ekipit mysafir, i jepet e njëjta qetësi që presim për himnin tonë kur Kosova luan jashtë. Mund të dënonim me gjithë forcën vuajtjet e civilëve palestinezë në Gazë dhe të kërkonim përgjegjësi nga qeveria izraelite, duke i pritur me dinjitet futbollistët që erdhën të luanin në Prishtinë.
Për Kosovën, ky standard ka edhe peshë politike. Beogradi vazhdon ta kundërshtojë pavarësinë e saj, një numër i madh shtetesh ende nuk e njohin dhe Kosova mbetet jashtë OKB-së. Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit mbetet në fuqi. Ajo riafirmoi në vitin 1999 përkushtimin ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe vendosi administrimin e përkohshëm ndërkombëtar në Kosovë. Më 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë arriti në përfundimin se deklarata e pavarësisë nuk shkeli as të drejtën ndërkombëtare, as Rezolutën 1244. Izraeli është ndër shtetet që e kanë njohur Kosovën dhe ka vendosur marrëdhënie diplomatike me të në vitin 2021.
Shumë prej këtyre djemve janë lindur para shpalljes së pavarësisë. Sot ata dalin në fushë me fanellën e një shteti që brezi i prindërve të tyre luftoi për ta parë të përfaqësuar me emrin dhe himnin e vet. Kjo fanellë u jep një nder dhe u ngarkon një përgjegjësi. Për disa minuta para ndeshjes, sjellja e tyre lexohet si sjellja e vendit që përfaqësojnë.
Kur Kosova kërkon që himni i saj të dëgjohet me respekt në stadiumet e botës, ka çdo arsye që këtë respekt ta tregojë së pari në Prishtinë.



