
Liverpoolit i është dhënë e drejta pas shqyrtimit të episodit të diskutueshëm të penalltisë ndaj Arsenalit. Paneli i Incidenteve Kryesore të Ndeshjeve (KMI) i Premier League ka arritur në përfundimin se skuadrës angleze duhej t’i ishte akorduar një 11-metërsh pas tërheqjes së fanellës së Alexander Isak nga mbrojtësi Jurrien Timber.
Vendimi fillestar i arbitrit për të mos akorduar penallti u shqyrtua edhe nga VAR-i, por gjyqtarët e videos mbështetën vendimin në fushë. Megjithatë, pas analizimit të episodit, paneli votoi me rezultatin 4-1 se Liverpoolit duhej t’i jepej penallti.
Gjithashtu, me rezultatin 3-2, anëtarët e panelit vlerësuan se VAR-i duhej të kishte ndërhyrë për të korrigjuar vendimin. Dy votat kundër ndërhyrjes u argumentuan me faktin se vlerësimi i ndikimit të kontaktit ishte subjektiv.
Anëtari që nuk e konsideroi episodin si penallti argumentoi se tërheqja ishte e shkurtër dhe nuk kishte ndikim të qartë në aftësinë e Isakut për të vazhduar aksionin.
Premier League sqaroi se, në vlerësimin e rasteve të mbajtjes së kundërshtarit, arbitrat duhet të marrin parasysh nëse lojtari përqendrohet te kundërshtari dhe jo te topi, nëse tenton të luajë topin, nëse përdor të dyja duart dhe nëse mbajtja është e vazhdueshme apo ndikon te kundërshtari ose te veshja e tij.
Në këtë rast, paneli arriti në përfundimin se ndërhyrja e Timber ndaj Isakut plotësonte kriteret për një faull të mbajtjes dhe duhej të ishte ndëshkuar me penallti, si nga arbitri në fushë, ashtu edhe përmes ndërhyrjes së VAR-it.
Në momentin e episodit, Liverpooli ishte në disavantazh 1-0, pas golit të Kai Havertz në minutën e 16-të, i cili rezultoi vendimtar për fitoren e Arsenalit.
Pas ndeshjes, trajneri i Liverpoolit, Andoni Iraola, e cilësoi episodin si një penallti të pastër.
“Për mua, rasti i Isakut është një penallti e qartë. Ai po shkonte të godiste me kokë topin përballë portës dhe e tërheqin nga fanella, gjë që mund ta shohin të gjithë”, u shpreh ai.
Edhe legjenda e Liverpoolit dhe analisti i Sky Sports, Jamie Carragher, reagoi ashpër ndaj vendimit, duke theksuar se VAR-i duhet të kishte bërë detyrën e tij.
“Një nga golashënuesit më të mirë të kampionatit tërhiqet shtatë metra larg portës dhe pengohet të godasë topin me kokë. Pse duhet ta ekzagjerojë reagimin? VAR, bëj detyrën tënde”, deklaroi Carragher.
Në të njëjtën linjë ishte edhe legjenda e Arsenalit, Ian Wright, i cili pranoi se Isak ishte tërhequr qartësisht nga fanella.
“Është e dukshme që ia kanë tërhequr fanellën. Pse duhet të hidhet në tokë? Nuk ka pse ta ekzagjerojë. VAR gaboi në këtë rast. Sigurisht, është skuadra ime dhe jam i lumtur që fituam, por nëse do të akordohej penallti, nuk do të ulesha këtu të thosha se nuk mund ta besoja një vendim të tillë”, u shpreh Wright.



