
Slavoj Žižek, Project Syndicate
Detyra ime si filozof është ta prish ekstazinë e ndjesisë së çlirimit që ka pasuar zgjedhjet e mesmandatit në SHBA. Po, në pamje të parë, të gjithë kemi triumfuar: jo vetëm që partia e Donald Trump pësoi një humbje spektakolare, por vetë Trymp e pranoi atë dhe premtoi se do të punojë me demokratët në Kongres. Pra, na u kursye shpallja e gjendjes së emergjencës dhe anulimi i rezultatit të zgjedhjeve, ngjarje të cilave shumëkush i trembej.
Megjithatë, pozicioni im në thelb nuk ka ndryshuar nga 2016, kur i thashë një intervistuesi se do të votoja për Trumpin. Ai mund të jetë absolutisht “i neveritshm,” shpejgova unë, por fitorja e tij do të nxitë një “zgjim të madh,” duke i dhënë një goditje thelbësore sistemit politik amerikan, si dhe duke detyruar rreshtime të reja afatgjata. Parapëlqeja Trumpin përkundrejt Hillary Clintonit, një politikane e njohur si luftënxitëse, me lidhje të thella me bankat e mëdha, por kjo jo sepse Trump ishte më i mirë, po sepse ishte thuajse e sigurt se do të shkaktonte një reagim të ashpër publik.
Mund t’i merrni lehtësisht me mend sulmet brutale që provokoi ky qëndrim i imi. Por, prapë mendoj se kisha të drejtë, ndonëse isha pak para kohe. Këndvështrimi im është se ky fiksim dhjetë vjeçar me Trumpin reflekton ngritjen e tij në statusin e nje fteishi, në kuptimin psikoanalitik. Siç vëzhgonte Jacques Lcan, edhe nëse pretendimet e një bashkëshorti të tradhëtuar rezultojnë të vërteta (që gruaja e tij shkon me të tjerë), xhelozia e tij është sidoqoftë patologjike, sepse përbën mënyrën e vetme si ai ruan dinjitetin, e madje edhe identitetin e tij.
Në mënyrë të njëjtë mund të thuhet se, edhe sikur pretendimet e Nazistëve për Hebrenjtë të ishin të vërteta (që nuk ishin aspak të tilla, për të qenë të qartë), antisemtizimi i tyre do të ishte sërish patologjik sepse shërbeu për të shtypur arsyet e vërteta të pozicionimit të tyre ideologjik. Të etur për të besuar se shoqëria gjermane ishte një komunitet organik etno-nacionalist, atyre iu nevojitej gjithsesi një i huaj për të shpjeguar përçarjet dhe antagonizmat e shumta. Figura anti-Semite e Hebreut ngarkohet me të gjitha këto antagonizma, duke u shndërruar në gjënë e fundit që një antisemit sheh para përballjes së tij me të vërtetnë lakuriqe.
Në këtë aspekt, imazhi i fetishizuar i Trumpit është gjëja e fundit që një liberal sheh kur përballet me realitetin e luftës së klasave. Liberalët mbeten të magjepsur dhe të fiksuar pas tij sepse ai iu lejon të shmangin temën e klasës sociale. Vëzhgimi i Hegelit se “e keqja gjendet në vetë shikimin që percepton të keqen rreth vetes,” është mëse i saktë: vështrimi liberal që e demonizon Trumpin, është në vetvete i keq sepse injoron faktin se kanë qenë dështimet e liberalizmit ato që krijuan hapësirën për markën e populizmit nacionalist të Trumpit.
Në këtë kontekst, tmerri i vërtetë për mua ishte ceremonia e inaugurimit të Joe Biden në fillim të 2021-it. Ajo e reduktoi mandatin e parë të Trumpit në një anomali, një shkëputje të shkurtër nga normaliteti i demokracisë liberale. Ky qëndrim u shfaq në vargjet e “Kodra që ngjitim,” të lexuara nga poetja e re Amanda Gorman para të pranishmëve. “Dhe kështu, e hedhim shikimin jo drejt asaj çka qëndron mes nesh, por drejt asaj që qëndron para nesh,” recitoi ajo. “E ngushtojmë hendekun sepse e dimë që, për t’i dhënë përparësi të ardhmes tonë, na duhet së pari të lëmë mënjanë dallimet tona.”
Nëse termi ideologji ka ndonjë domethënie, është pikërisht kjo: fantasia e establishmentit dhe progresistëve, që bashkohen në një moment sublime solidariteti. Të përfshirë nga momenti, shumë i thanë vetes me bindje se Trump nuk kishte ndodhur kurrë. Do të kish qenë më mirë të pyesnin veten se nga erdhën Trumpi dhe ndjekësit e tij. A nuk e hedh poshtë fuqizimi i tij, solidaritetin e supozuar të liberalëve?
Nëse duam të kemi një të ardhme, nuk duhet kurrsesi t’i lëmë mënjanë dallimet tona. Në fakt, duhet të bëjmë të kundërtën: të përqëndrohemi tek ndasitë dhe antagonizmat tona, me çfarë nuk dua të nënkuptoj “luftë jocivile” mes establishmentit liberal dhe MAGA-s, por antagonizmat klasore nën sipërfaqe. Meqenëse Trump pretendon se na përfaqëson “ne” kundër “atyre,” mënyra e vetme për ta mposhtur është të tregojmë se ai ësht në fakt njëri nga “ata” (krijesë e “moçalit” të establishmentit).
Ia vlen të kujtojmë figurën e vetmuar që vodhi vëmendjen gjatë inaugurimit të Bidenit, thjesht duke qëndruar ulur, një element i mosdakordësisë mes “unitetit”: Bernie Sanders. Nuk ishte lënë jashtë festës, por as nuk ishte i interesuar t’i bashkohej asaj.
Kur Hegeli pa Napoleonin të hynte me Kalë në Jena, mendoi se ishte në praninë e shpirtit të botës – historia mbi shpinën e kalit. Duke u bërë viral thjesht me qëndrimin e tij ulur me doreza të mëdha, Sanders mbarti shpirtin e botës të kohës sonë – skepticizmin e miliona njerëzve të zakonshëm. Ai dhe ata e dinin se nevojiteshin ndryshime shumë më radikale.
Ndaj nuk duhet të biem pre e euforisë pas mposhtjes së tanishme të Trumpit. Në fakt, mungesa e pushtetit të tij na privon nga një fetish dhe na detyron të fokusohemi në betejën e vërtetë përpara nesh. Nuk kemi një normalitet tek i cili të kthehemi. Vetë Trump është sinonim i shpërbërjes së konsensusit neoliberal dhe dështimit të së majtës për ofruar një alternativë të suksesshme.
Për këtë arsye, hapi i parë në luftën kundër populizmit është hedhja e një vështrimi kritik ndaj dobësive të projektit liberal. Kujtoni fjalimin aq të lëvduar të Kryeministrit kanadez Mark Carney në Davos, në janar, ku iu referua esesë së vitit 1978 të Vaslav Havel, “Fuqia e të Pafuqishmëve.” Havel, shpjegoi Carney, ngriti “një pyetje të thjeshtë: si e mbante veten në këmbë sistemi komunist? Dhe përgjigjia e tij nis me një tregtar perimesh. ‘Çdo mëngjes, ky dyqanxhi vendos në dritare një tabelë: ‘Punëtorë të të gjithë botës, bashkohuni.’ Vetë nuk beson në të, por e vendos tabelën gjithsesi për të shmangur telashet dhe për t’u dukur i bindur. Dhe meqenëse çdo dyqanxhi në çdo rrugë bën të njëjtën gjë, sistemi qëndron në këmbë.”
Ashtu sikurse shitësi i Havelit një ditë vendosi të mos jetonte më brenda një gënjeshtre, Carney e nxiti audiencën e tij të hiqnin tabelën e tyre dhe të mohonin haptas rendin botëror.
Por ka një dallim të madh mes historisë së Havelit dhe situatës tonë sot. Tabela jonë është hequr tashmë, jo nga disidentë që kundërshtojnë sistemin, por nga fuqitë që e krijuan atë. SHBA nuk sheh ndonjë dobi tek rendi që vetë i ka imponuar botës. Konkurrenca e tregut të lirë dhe të tjera rregulla ndërkombëtare ishin të dobishme sa kohë i garantonin privilegje Amerikës, por u hodhën poshtë sapo u kuptua se po i minonin asaj hegjemoninë.
Pyetja tani është, çfarë do të vijë pas rendit liberal. Të vetmet alternativa që po na ofrohen, duket se po prodhojnë simptoma të frikshme: luftë kaotike ekonomike, forma të reja fashizmi dhe teknofeudalizëm, një rikthim të pushtimet e stilit të vjetër colonialist dhe dhuna gjenocidale. Edhe më keq, procesi “normal” i historisë po na çon drejt katastrofave, nga kolapsi ekologjik dhe inteligjenca artificiale e pakontrolluar, tek lufëra të reja globale. Nëse këto përbëjnë fundin e vërtetë të historisë sonë, atëherë mposhtja e Trumpit do të jetë krejtë e pavlerë.



