
Një episod i veçantë ka ndodhur këtë paradite para kryeministrisë. Para godinës qeveritare janë vendosur disa karrige që ngjajnë si ato që përdoren brenda institucionit.
Mbi ta janë vendosur letra që shkruajnë: Dialog. Ky veprim, vjen pas apeleve të shumta të Ramës dhe ministrave që protestuesit të dialogojnë për kërkesat e tyre.
Rama e ka bërë gjithashtu të qartë se me dhunë dhe me këtë mënyrë proteste ai nuk ka ndërmend të negociojë largimin e tij apo kërkesa të tjera të protestuesve.
“Kush do dialog pa kushte, ku të dojë, kur të dojë, edhe këtu po të dojë, unë jam në dispozicion bashkë me qeverinë”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se të mirëpritur janë të gjithë ata që duan të zhvillojnë një dialog, ndërsa përjashtoi nga kjo ftesë personat që, sipas tij, ushtrojnë dhunë dhe nuk distancohen prej saj.“Vetëm ata që bëjnë dhunë dhe nuk distancohen nga dhuna nuk janë të mirëpritur”, deklaroi Rama.



