
Një valë e re dezinformimi po qarkullon gjerësisht në mediat sociale, ku pretendohet se gjatë trazirave shkatërruese në Francë, protestuesit mbanin me vete “lista të parapërgatitura” me emrat e bizneseve në pronësi të hebrenjve për t’u vënë flakën, ndërsa dyqanet e pronarëve myslimanë liheshin të paprekura.
Nga verifikimi i fakteve dhe deklaratave zyrtare të autoriteteve franceze, rezulton se ky pretendim është tërësisht i rremë dhe i pabazuar në fakte.
Origjina e pretendimit
Lajmi spekulativ mori vrull pas një deklarate të bërë gjatë një interviste televizive në kanalin francez CNews nga gazetari Paul Amar. Ai pretendoi se traziuesit në Marsejë kishin adresa të targetuara të bizneseve të komunitetit hebre dhe se ato u sulmuan në mënyrë selektive.
Deklarata e tij pa prova u shpërnda me shpejtësi në platformat digjitale si TikTok, Instagram dhe Facebook, e shoqëruar shpesh me tekste dramatike e nxitëse.
Çfarë thonë faktet dhe autoritetet
Fact-checker-ët ndërkombëtarë dhe mediat investigative verifikuan pretendimet përmes burimeve zyrtare në terren:
Policia e Marsejës: Autoritetet e rendit konfirmuan zyrtarisht se shkatërrimet dhe plaçkitjet e dyqaneve nga grupet e dhunshme ishin plotësisht kaotike dhe pa asnjë profilizim etnik apo fetar.
Këshilli Përfaqësues i Institucioneve Hebraike (CRIF): Bruno Benjamin, kryetar i degës së CRIF në Marsejë, përgënjeshtroi publikisht ekzistencën e ndonjë liste apo sulmi të shënjestruar. Ai sqaroi se “plaçkitjet dhe dëmtimet e pronave prekën pa asnjë dallim biznese në pronësi të hebrenjve, jo-hebrenjve dhe myslimanëve njësoj”.
Shërbimi i Mbrojtjes së Komunitetit Hebre (SPCJ): Organizata e specializuar në monitorimin e akteve antisemite në Francë njoftoi se nuk ka asnjë evidencë apo raportim që vërteton se bizneset hebraike u shënjestruan në mënyrë të organizuar gjatë atyre trazirave.
Lajmin origjjnal e gjeni ne kete link: https://www.facebook.com/share/v/1SVoKphNBP/?mibextid=wwXIfr



