NGA ALBERT VATAJ
Përshkallëzimi i situatës, aktet e dhunës dhe shkatërrimit, dëmtimi i institucioneve, i sipërmarrjeve private dhe i bankave, si dhe djegia e godinave dhe e hapësirave të kryeqytetit, kanë rikthyer në vëmendjen publike debatin mbi përgjegjësinë politike, shoqërore dhe morale për krizën që po kalon vendi. Në këtë klimë të tensionuar, ku protestat e të rinjve shoqërohen me akte që vënë në pikëpyetje kufijtë mes revoltës qytetare dhe shkatërrimit të pronës, sipërmarrësi Gjergj Luca ka zgjedhur t’i drejtohet opinionit publik me një komunikim të drejtpërdrejtë, duke hyrë në një replikë me shkrimtarin dhe ish-politikanin Ben Blushi.Në qendër të kësaj përplasjeje qëndron një pyetje thelbësore: a mund t’i faturohet shkollës dhe degradimit të arsimit përgjegjësia për një brez që proteston, apo duhet kërkuar përgjegjësia edhe te modeli politik, institucional dhe moral që është ndërtuar gjatë dekadave?Luca e merr shkas nga një shkrim i Blushit, të titulluar “Pse po protestojnë fëmijët”, ku ky i fundit e lidh formimin e një kategorie të re protestuesish me dobësimin e sistemit arsimor. Por sipërmarrësi zgjedh ta zhvendosë vështrimin nga shkolla te ata që, sipas tij, kanë pasur përgjegjësinë të drejtojnë vendin, të ndërtojnë institucione funksionale dhe t’u ofrojnë brezave një model të besueshëm zhvillimi.“Marr shkas nga një artikull i mikut tim Ben Blushi, për të dalë e për të dhënë unë një opinion timin, për atë që po ndodh, ose pse kemi arritur në këtë ditë”, nis komunikimin e tij Gjergj Luca, duke e bërë të qartë se ndërhyrja e tij nuk është thjesht një koment mbi ngjarjet, por edhe një përballje me mënyrën se si interpretohen shkaqet e krizës.Përgjegjësia nuk mund t’i faturohet vetëm shkollësNë shkrimin e tij, Ben Blushi argumenton se dobësimi i arsimit gjatë tri dekadave ka ndikuar në krijimin e një kategorie shoqërore që nuk e sheh më shtetin si një autoritet përballë të cilit duhet të ketë frikë. Ai shkruan: “Sipas meje këtë lloj protestuesi e ka krijuar i vetmi institucion që nuk duhet ta krijonte, shkolla. Dobësimi pa kthim i arsimit për 30 vjet ka krijuar një kategori sociale që nuk ka më frikë nga shteti.”Është një tezë që e vendos arsimin në qendër të krizës së autoritetit dhe të edukimit qytetar. Por Luca e kundërshton këtë këndvështrim, duke vënë në pikëpyetje të drejtën morale të atyre që kanë ushtruar pushtet politik për t’ia kaluar përgjegjësinë një institucioni të vetëm, aq më pak një brezi që është formuar brenda realitetit të krijuar prej tyre.“Ben Blushi, a keni qenë ju ministër i Arsimit dhe keni qenë ju politikan kaq dekada, apo kemi qenë ne?”, pyet Luca, duke e kthyer replikën në një thirrje për llogaridhënie. Në këtë pyetje përmblidhet thelbi i kundërshtimit të tij: nëse arsimi është dobësuar, atëherë përgjegjësia nuk mund të kërkohet vetëm te shkolla, mësuesit apo nxënësit, por edhe te politikat, vendimmarrjet dhe drejtuesit që kanë pasur mundësinë të ndikojnë në zhvillimin e tij.Luca e vë përballë kësaj përgjegjësie edhe përvojën e atyre që, larg tribunave politike, kanë zgjedhur të qëndrojnë në vend, të punojnë, të ndërtojnë dhe të krijojnë mundësi për brezat që vijnë.“Apo kemi qenë ne, që punojmë, që ëndërrojmë, që vrapojmë, që motivojmë brezat që do vijnë, dhe që nuk kemi lëvizur asnjë ditë nga ky vend, duke dhënë me përkushtim dhe me shembull modelin e sipërmarrjes dhe për të kthyer shpresën se Shqipëria po bëhet dhe meriton t’i çelen asaj perspektivat evropiane”, shprehet ai.Në këtë kundërvënie, sipërmarrja shfaqet si një përvojë konkrete e besimit te puna dhe te mundësia për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri. Për Lucën, modeli nuk është thjesht ajo që thuhet nga një foltore, por ajo që provohet përmes punës, përgjegjësisë dhe krijimit të vlerës.Një kontroll i ndërgjegjes përpara se të gjykojmë rininëDuke iu drejtuar miqve dhe ndjekësve të tij, Luca e zgjeron kritikën përtej debatit me Blushin, duke kërkuar që përgjegjësia për gjendjen e krijuar të mos zhvendoset as te shkollimi, as te rinia dhe as te zemërimi i momentit.“Pra, mos u mundoni, miqtë e mi, mos u mundoni t’ia lini fajin shkollimit, rinisë, t’ia lini fajin acarimit, por bëni që të gjithë një check-up ndërgjegjes, përgjegjësisë, shpirtit tuaj, formimit tuaj, që ka secili për këtë që po ndodh”, vijon ai.Është një thirrje që e zhvendos debatin nga diagnoza e një krize të dukshme te përgjegjësia e atyre që kanë kontribuar, me veprimet apo mosveprimet e tyre, në krijimin e kushteve të saj. Luca nuk e mohon nevojën për të analizuar formimin e të rinjve, por kundërshton përdorimin e kësaj analize si një mënyrë për t’iu shmangur llogaridhënies së atyre që kanë drejtuar vendin.Në këndvështrimin e tij, kriza nuk mund të shpjegohet vetëm përmes mangësive të sistemit arsimor. Ajo duhet parë edhe përmes shembujve që shoqëria u ka ofruar të rinjve, përmes mënyrës se si është ushtruar pushteti dhe përmes marrëdhënies mes fjalëve publike dhe sjelljes konkrete të njerëzve që kanë pasur përgjegjësi shtetërore.“Po arrogancën ku t’ua çojmë?”Në pjesën më të ashpër të komunikimit të tij, Gjergj Luca ndalet te ajo që e konsideron një nga plagët më të rënda të politikës shqiptare: arrogancën dhe papërgjegjshmërinë e atyre që kanë ushtruar pushtet pa arritur të ndërtojnë një model të qëndrueshëm zhvillimi.“Po i falim të gjitha, po i falim lekët që i keni fituar në mënyrë të pandershme, vilat që i keni bërë në mënyrë të pandershme, lekët që keni fshehur nëpër beton, po arrogancën ku t’ua çojmë, arrogancën dhe papërgjegjshmërinë tuaj si shtetbërës, atë ku t’ua çojmë, që për 35 vite nuk keni ndërtuar një model perspektive. Dhe kur ne themi merruni me modelin, asnjë nuk ka veshë të dëgjojë”, shprehet ai.Fjalët e tij janë të ashpra dhe akuzuese. Ato artikulojnë zemërimin e një sipërmarrësi që kërkon që debati publik të mos përqendrohet vetëm te pasojat e dukshme të protestave, por edhe te shkaqet më të thella të mosbesimit shoqëror. Në këtë optikë, dëmi nuk matet vetëm me godinat e djegura, xhamat e thyer apo pronat e shkatërruara. Ai matet edhe me humbjen e besimit, me mungesën e një modeli që t’u japë të rinjve arsye për të qëndruar, për të punuar dhe për të besuar se përpjekja e ndershme mund të shpërblehet.Kur Luca pyet se cili është modeli i parlamentit, ai e drejton kritikën te cilësia e përfaqësimit politik dhe te morali i atyre që pretendojnë të udhëheqin shoqërinë. “Cili është modeli i atij parlamenti, Ben Blushi?”, pyet ai, duke e përshkruar atë me terma që shprehin zhgënjimin e tij ndaj elitës politike.Më tej, me një varg formulimesh të drejtpërdrejta e provokuese, ai godet atë që e sheh si përmbysje të vlerave në jetën publike: “Fol, fol se del i pari, rrej se të besojnë, vill se quhesh i ndershëm, grabit se të vënë në krye të tavolinës, vrit dhe je bajraktar”, shpërthen sipërmarrësi.Këto fjalë, përtej gjuhës së tyre të ashpër, shprehin një akuzë morale ndaj një realiteti ku, suksesi publik nuk lidhet gjithmonë me ndershmërinë, përgjegjësinë dhe kontributin. Është një protestë ndaj modelit të gabuar të autoritetit, ku zhurma mund të mbizotërojë mbi përmbajtjen dhe pushteti mbi meritën.Pikërisht këtu qëndron edhe një nga nyjat e debatit. Nëse shoqëria kërkon prej të rinjve respektimin e ligjit, ajo duhet t’u dëshmojë se ligji është i barabartë për të gjithë; nëse u kërkon ndershmëri, duhet t’u ofrojë shembuj ndershmërie; nëse u kërkon përgjegjësi, duhet të shohë përgjegjësinë të ushtrohet edhe nga ata që kanë pasur pushtetin të vendosin për të tjerët.Mbështetja për Edi Ramën dhe dallimi mes politikës e idealizmitNë vijim të komunikimit, Gjergj Luca shpreh hapur mbështetjen e tij konsistente për kryeministrin Edi Rama, duke e paraqitur atë si një figurë që, sipas vlerësimit të tij, duhet parë edhe përtej identitetit të zakonshëm të politikanit.“Dhe unë nuk kam frikë të dal e të flas për Edi Ramën, sepse është i vetmi njeri që, sipas Lucës, nuk është politikan, ai është artisti që po bën për këtë vend, po e çon drejt integrimit të BE Shqipërinë”, shprehet ai, duke ia atribuar Ramës idealizmin dhe vullnetin për ta çuar vendin përpara.Luca e kundërshton idenë se Rama përfaqëson burimin kryesor të së keqes së vendit, duke ia drejtuar akuzat atyre që, sipas tij, e kanë grabitur, djegur dhe plaçkitur Shqipërinë. Në këtë mënyrë, ai e vendos mbështetjen e tij politike brenda një argumenti më të gjerë mbi përgjegjësinë historike dhe morale të klasës politike.Ky është një qëndrim i shprehur qartë nga sipërmarrësi dhe pjesë e pozicionimit të tij publik. Ai duhet lexuar si vlerësimi i Lucës për drejtimin e vendit dhe jo si një e vërtetë që përjashton debatin apo shqyrtimin kritik të përgjegjësive politike. Në një shoqëri demokratike, mbështetja politike dhe kritika ndaj kundërshtarëve duhet të përballen me të njëjtin standard, vlerësimin e veprave, rezultateve dhe përgjegjësisë përpara qytetarëve.Thirrja e Lucës për rininë, revolta nuk duhet të shkatërrojë punënNë fund të komunikimit, Luca u drejtohet drejtpërdrejt të rinjve, duke u kërkuar të mos e kthejnë revoltën në një akt që dëmton pronën private dhe njerëzit që jetojnë me punën e tyre.“Rini, mos ndërhyni në pronën private, mos përzini njerëzit që punojnë”, është thirrja e tij.Më pas, ai shpreh keqardhjen që njerëzit që punojnë, shpresojnë, ëndërrojnë dhe përpiqen të ndërtojnë diçka në këtë vend mund të gjenden përballë rrezikut të largimit apo të shkatërrimit të asaj që kanë ngritur me mund.“Por ju duhet t’ju vijë turp që edhe këta njerëz që punojnë dhe shpresojnë, që ëndërrojnë dhe përpiqen të bëhet ky vend, të detyrohen prej jush të largohen”, shton ai.Kjo është pjesa ku argumenti i Lucës merr një përmasë të drejtpërdrejtë shoqërore. Për të, prona private nuk është thjesht një objekt ekonomik apo një hapësirë që i përket një individi. Ajo përfaqëson mundin e investuar, vendet e punës, familjet që mbështeten te një aktivitet ekonomik dhe shpresën se e ardhmja mund të ndërtohet përmes punës së ndershme.Protesta është një e drejtë qytetare. Por ajo e humbet forcën e saj morale kur kthehet në dhunë ndaj njerëzve, shkatërrim të pronës dhe cenim të sigurisë së atyre që nuk janë përgjegjës për vendimet që kundërshtohen.Përballë Shën Gjergjit dhe dragoit: një simbolikë e zgjedhurGjergj Luca e realizoi këtë komunikim përpara statujës së Shën Gjergjit që lufton me dragoin, vepër monumentale e vendosur në qendër të kompleksit Fish City Rozafa Apolloni, në Fier, një investim që ai e paraqet si dëshmi të besimit te puna, sipërmarrja dhe mundësia për të ndërtuar në Shqipëri.Vendndodhja i jep komunikimit një sfond simbolik të veçantë. Shën Gjergji, në traditën ikonografike dhe në imagjinatën kulturore, është figura e përballjes me dragoin, mishërim i së keqes, i kaosit apo i forcave që kërcënojnë rendin. Përballë kësaj figure, Luca zgjedh të flasë për një vend të përfshirë nga tensionet, për përgjegjësinë e politikës, për rininë dhe për nevojën që puna të mos bëhet viktimë e zemërimit shoqëror.Në këtë kontekst, statuja shërben si një sfond që e përforcon mesazhin e tij, përballja me të keqen nuk fitohet duke shkatërruar atë që është ndërtuar, por duke gjetur forcën për të ndërtuar një model më të mirë. Dragoi i kësaj metafore mund të lexohet si kaosi, papërgjegjshmëria, korrupsioni apo humbja e besimit, ndërsa Shën Gjergji si simbol i përpjekjes për t’i kundërshtuar ato. Ky është një lexim simbolik i skenës, në përputhje me temën e komunikimit të sipërmarrësit.Fish City Rozafa Apolloni, në këtë rast, nuk shfaqet vetëm si hapësira ku është regjistruar mesazhi, por edhe si pjesë e argumentit që Luca kërkon të mbrojë, ideja se investimi, puna dhe këmbëngulja mund të krijojnë vlerë edhe në një realitet të mbushur me pasiguri.



