Nga Fatos Çoçoli
Jam një qytetar i zakonshëm i Tiranës. Nuk jam politikan, nuk kam truproja dhe nuk kam mundësi të mbroj vetë familjen, pronën dhe biznesin tim nga turma të dhunshme. Jam prind i fëmijëve adoleshentë, të cilët duhet të shkojnë çdo ditë në shkollë për të mësuar, për t’u arsimuar dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre.
Kam një biznes të vogël. Kam një dyqan në një nga rrugët qendrore të kryeqytetit. Për të mbajtur familjen time, duhet të ngre çdo mëngjes qepenat, të punoj dhe të siguroj të ardhurat e nevojshme për ushqimin, shkollimin dhe jetesën e fëmijëve të mi.
Por çfarë duhet të bëj, kur dalja e fëmijëve nga shtëpia më shkakton ankth? Çfarë duhet të bëj, kur hapja e dyqanit tim shndërrohet në një rrezik për pronën dhe jetesën time? Çfarë duhet të bëj, kur pamjet e sulmeve ndaj bizneseve, thyerjeve të xhamave dhe djegieve të kioskave më bëjnë të mendoj se nesër mund të jetë radha ime?
Qeveri, Kuvend: kush ma garanton të drejtën për të jetuar pa frikë?
Fëmijët e mi kanë të drejtë të shkojnë në shkollë, jo të jetojnë me frikën e dhunës
Fëmijët e mi nuk janë pjesë e konflikteve politike. Ata nuk janë përgjegjës për mosmarrëveshjet e partive, për rivalitetet politike apo për pakënaqësitë që mund të shprehen në rrugë. Ata janë adoleshentë që duhet të mësojnë, të takojnë shokët, të ndërtojnë ëndrrat e tyre dhe të përgatiten për jetën.
Si prind, unë kam detyrimin t’i mbroj. Por mbrojtja e tyre nuk mund të jetë t’i mbyll në shtëpi. Nuk mund të jetë vetëm përgjegjësia ime. Për sigurinë e fëmijëve në mjediset publike, në rrugët që përshkojnë për të shkuar në shkollë dhe në hapësirat ku zhvillohet jeta e përditshme, përgjegjësi kanë edhe institucionet shtetërore.
Nuk mund të jetojmë në një shoqëri ku prindi duhet të pyesë veten çdo mëngjes nëse është e sigurt ta dërgojë fëmijën në shkollë. Nuk mund të pranojmë që frika nga dhuna të ndërhyjë në arsimimin e brezit tone të ri.
Nëse një prind detyrohet të mendojë për rrezikun e dhunës, përpara se të mendojë për mësimet e fëmijës, atëherë kemi një problem që kërkon përgjigje të menjëhershme institucionale.
Qeveri, Kuvend: mos më detyroni të zgjedh ndërmjet sigurisë së fëmijëve të mi dhe arsimimit të tyre!
Biznesi im i vogël nuk mund të jetë peng i dhunës në rrugë
Biznesi im nuk është thjesht një dyqan. Ai është rezultati i viteve të punës, i kursimeve, i sakrificave dhe i përpjekjeve për të krijuar një burim të qëndrueshëm jetese. Çdo ditë që dyqani qëndron i mbyllur, unë humbas të ardhura. Qiraja nuk ndalet. Detyrimet ndaj furnitorëve nuk zhduken. Shpenzimet familjare vazhdojnë. Dhe nëse biznesi im dëmtohet apo shkatërrohet, pasojat mund të jenë shumë më të rënda se humbja e një dite pune.
Nuk kam rezerva financiare për të përballuar ditë të tëra mbylljeje, dëme materiale apo ndërprerje të aktivitetit. Për shumë si unë, ky dyqan është i vetmi burim të ardhurash.
Kur dhuna godet bizneset, ajo nuk dëmton vetëm xhamat, vitrinat apo mallrat. Ajo godet punësimin, konsumin, besimin dhe aktivitetin ekonomik të qytetit tim.
Nëse një tregtar mbyll qepenat nga frika se mund t’i sulmohet dyqani, nëse klientët shmangin rrugët qendrore dhe nëse punonjësit nuk ndihen të sigurt, atëherë pasojat e dhunës përhapen përtej vendit ku ndodh incidenti.
Kush i paguan këto kosto? Kush i kompenson ditët pa punë? Kush përgjigjet për dëmet e shkaktuara? Kush siguron që një sipërmarrës i vogël të mos humbasë kursimet e jetës, për shkak të veprimeve të paligjshme të vandalëve me maska, që hiqen si student protestues?
E drejta jote për të protestuar nuk mund të shndërrohet në të drejtën për të shkatërruar biznesin dhe jetesën e qytetarit tjetër.
A më ndihmon dot Kushtetuta, ti qeveri dhe ti Kuvend?
Kushtetuta e Republikës sonë përcakton të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, detyrimet e institucioneve dhe mekanizmat që mund të përdoren në situata të jashtëzakonshme.
Sipas nenit 173, gjendja e jashtëzakonshme mund të vendoset në rast rreziku për rendin kushtetues dhe sigurinë publike, kur rendi i zakonshëm kushtetues nuk është i mjaftueshëm për përballimin e tij. Ajo vendoset me vendim të Kuvendit, me propozimin e Këshillit të Ministrave, për një periudhë deri në 30 ditë, me mundësitë e zgjatjes dhe kufizimet e përcaktuara nga Kushtetuta.
Unë nuk kërkoj domosdoshmërisht masa të jashtëzakonshme. E di që jemi vend I NATO-s dhe duhet marrë leje. Por ama kërkoj që shteti, që e mbaj me taksat e mija, të përdorë në mënyrë efektive kompetencat që ka dhe të mos presë përshkallëzimin e dhunës dhe dëmtimet massive të bizneseve, për të vepruar.
Kërkoj një vlerësim publik të situatës së sigurisë në zonat e prekura nga incidentet e dhunshme. Një plan të menjëhershëm për mbrojtjen e shkollave, zonave tregtare dhe rrugëve qendrore. Kërkoj koordinim të qartë ndërmjet policisë, institucioneve arsimore, emergjencave dhe strukturave vendore. Kërkoj mbështetje ligjore dhe financiare, për viktimat e dëmeve, si dhe procedura të qarta për raportimin e tyre. Kërkoj, dhe kjo është kryesorja, vlerësim të bazuar në prova, nëse situata e ka të domosdoshme, masa të tjera ligjore mbrojtëse, qoftë dhe ushtrinë për të mbrojtur institucionet dhe biznesin, duke respektuar Kushtetutën dhe të drejtat themelore.
Nuk kërkoj që shteti të heshtë kritikët. Kërkoj që të mbrojë qytetarët. Nuk kërkoj që të ndalojë protestat paqësore. Kërkoj që të mos lejojë dhunën të bëhet mjet për të imponuar vullnetin e dikujt mbi të tjerët.



